Korrupsioni dhe nepotizmi janë dy shkaktarët kryesore të degradimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, probleme të thella që duket se po marrin zgjidhje përmes reformës së thellë që po kryhet.

Por pavarësisht se shumë “koka janë prerë”, ka ende prokurorë dhe gjyqtarë të përfolur dhe të akuzuar që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke ulur edhe besimin e qytetarëve.

Rasti më flagrant është “dinastia” Karanxha e sistemit të drejtësisë. Shembulli më spektakolar ku tregohet sesi tre anëtarë të së njëjtës familje kanë futur “nën kthetra” sistemin e drejtësisë.

Bëhet fjalë për prokurorin pranë Prokurorisë Tiranë, Ervin Karanxha, gjyqtaren në Gjykatën Civile të Tiranës, Anila Karanxha, që është motra e Ervinit. Por nuk përfundon me kaq, pasi pjesë e kësaj skeme ishte edhe Bernina Kondi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Administrativ në Tiranë, bashkëshortja e Ervin Karanxhës.

Por si funksiononte skema e tre Karanxhave të drejtësisë?

Duke qënë pjestarë të së njëjtës familje, ata i bëjnë në mënyrë të vazhdueshme “ndere” njëri-tjetrit, për palë të treta.

Anila Karanxha si gjyqtare e Dhomës Civile siguron realizimin pa të drejtë për pasuri të të tretëve, klientë të familjes. I vëllai, prokurori Ervin Karanxha siguron imunitetin apo paprekshmërinë ndaj ndonjë krimi, ndërsa kunata, Bernina Kondi iu siguron mbrojtje nga gjobat apo ndërhyrjet ligjore të shtetit.

Ky rrjet familjar në sistemin e drejtësisë, natyrisht ka ndikuar edhe në rritjet e pasurisë së tyre.

Kush i mbron tek vettingu?

“Shpata” e vettingut nuk e ka prerë ende “dinastinë” Karanxha, pavarësisht problemeve të faktuara me pasurinë.

Bashkëshortja Ervin Karanxhës, Bernina Kondi u shkarkua nga vettingu pasi nuk justifikonte pasurinë. Por edhe pse pasuria e tyre është vënë gjatë martesës, në mënyrë të pashpjegueshme, Ervin Karanxha nuk kalon në “sitë” nga vettingu.

Në një rast të tille duhej të ishte aplikuar procedura e përshpejtuar nga ana e KPK-së, pasi nëse njëri bashkëshort shkarkohet për shkak të problemeve me pasurinë, të njëjtin fat duhet të ketë edhe tjetri, përderisa ajo është ngritur gjatë periudhës që ata jetonin bashkë. Ndryshe do të ishte situata nëse gjyqtarja do të ishte shkarkuar për kriterin profesional, ku përgjegjësia është individuale.

Nga ana tjetër, motra e prokurorit, gjyqtarja Anila Karanxha, edhe pse është shortuar për vetting që në vitin 2019, vazhdon ende punën në Gjykatën Civile të Tiranës.

Ervin Karanxha aktualisht mban detyrën e prokurorit të thjeshtë, pasi është shkarkuar nga detyra e zv/shefit drejtues të prokurorisë së Tiranës në vitin 2019.

Ervin Karanxha dhe e motra Anila Karanxha, si dhe bashkëshortja e tij, të tre janë vlerësuar me raport negativ dhe me probleme nga ILDKPKI. Por ndërsa Bernina është shkarkuar nga vettingu, dy anëtarët e tjerë të familjes Karanxha vijojnë punën.

Ervin Karanxha njihet edhe si prokurori që nxori të pastër Lulzim Bashën lidhur me akuzat për lobimin me para ruse në Washington. Karanxha, bashkë me një prokuror tjetër, hoqi akuzën e pastrimit të parave dhe dorëzoi dosjen në gjykatë vetëm për falsifikim të formularit. Pas rastit, më kërkesë të drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Karanxha u përjashtua nga kjo çështje.

Problemet me pasurinë

Gjatë vëzhgimit të pasurisë së Ervin Karanxhës, ngrihen dyshime për manipulime. Sipas një analizë të bërë nga emisioni investigativ Top Story, rezulton se që nga deklarimi fillestar në vitin 2003 e më tutje ai deklaron mijëra dollarë kursime. Papritur në vitin 2010, deklaron kredi të marra më herët dhe hua.

Shuma e kredisë së marrë në 7 korrik të 2005, ishte 2,5 milionë lekë dhe përfundonte në 2020. Dyshimi fillon këtu se pse u deshën pesë vjetë që të deklarojë një kredi të marrë që në 2005. Ndërkohë që deri në këtë moment deklaronte vetëm të ardhura që rriteshin vit pas viti.

Një tjetër pikë që ngreh dyshime është edhe mënyra e shlyerjes së kësaj kredie. Karanxha ka deklaruar se në 6 prill të 2010 ka shlyer kredinë prej 1,2 milionë lekë. Ndërkohë që vetëm dy ditë më pas, më 8 prill ka shlyer këstin e kredisë mbi 13 mijë lekë. Ndërsa në 9 prill të 2010 ka shlyer shumën e kredisë së marrë në 2005. Pra, kemi të bëjmë me një kredi që nuk u deklarua për pesë vjetë e më pas u shlye për tre ditë.

Në vitin 2011 ai deklaron një kontratë porosie për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 114.5 m2, në Berat, me vlerë 6 milionë lekë. Pas një muaj e ka revokuar kontratën e parë, duke lidhur një tjetër. Kështu, me 1.10.2011 ka lidhur një tjetër kontratë pronësie për një apartament me sipërfaqe 90.12 m2, me vlerë 8.2 milionë lekë. Bëhet fjalë për një apartament ne Berat, pasi në atë kohë bashkëshortja e tij Bernina Kondi punonte atje gjyqtare.

Po këtë vit është marrë edhe një tjetër kredi në vlerën e 5 milionë lekëve me interes 4 për qind për pagesën e apartamentit.

Por pavarësisht se bashkëshortja e Ervin Karanxhës u shkarkua nga vettingu për shkak të problemeve me pasurinë, pasuri që është vënë gjatë martesës, prokurori vijon ende detyrën. Nëse do të gjykohej me procedurë të përshpejtuar nga KPK, prokurori Karanxha do të shkarkohej nga detyra sepse jemi duke folur për kriterin e pasurisë bashkëshortore.

Top Channel