Basha me fermerët në Baldushk: 100 mln euro në vit subvencione direkte për fermerët

12/04/2021 17:07

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka bashkëbiseduar me fermerë të Baldushkut rreth problematikave që ka sot bujqësia.

Fermerët i kërkuan Bashës të vendoset sa më shpejt dorë për këtë sektor,  pasi fermerët janë lënë në harresë.

“Ne para disa vitesh, na erdhën dhe na thanë do na ndihmojmë për sera, bëni dokumentacionet, i bëmë, dolëm përfitues, na erdhën dhe na bënë disa foto rreth serave, edhe as sera asgjë. Se si përfundoi kjo çështje, as vet se dimë. Prandaj, nesër kur të vini në qeveri, duhet t’i zbardhni këto masakra që po na bëjnë, ne fshatarëve. Unë jam një nga ata familjarë që e kam lënë familjen vetëm dhe kam ikur në Gjermani. Se ne na kanë lënë pas dore, asnjë gjë, katastrofë!”,  u shpreh Xhevair Sula.

Basha tha se Baldushku për 8 vite është lënë në vendnumëro dhe kjo gjë do të marrë fund më 25 prill. Ai u zotua se programi i Partisë Demokratike do të zbatohet pikë për pikë, i cili parashikon 100 milion subvencione në vit për fermerët, uljen e çmimit të naftës dhe çdo grant që vjen nga Bashkimi Europian për këtë sektor, do të shkojë tek fermerët.

“Baldushku ka një emër të veçantë në çdo shtëpi të qytetarëve të Tiranës. Kohët kanë ndryshuar. Për fat të mirë, këto 30 vjet kanë sjellë shumë ndryshim por 8 vitet e fundi, Baldushku ka ngelur vendnumëro. Pra, vij me një respekt të veçantë për punën e fermerëve të Baldushkut e cila jo më kot ka një nam të mirë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Njerëz punëtorë që e nderoni dhe e vaditni këtë tokë pjellore, në radhë të parë me djersën tuaj. Por sot, kur vij dhe siç kam ardhur vazhdimisht gjatë këtyre 8 viteve, e gjej Baldushkun gjithmonë dhe më të varfër, ju gjej ju gjithmonë dhe më të lodhur, sepse për 8 vite me radhe nuk ka pasur asnjë centimetër përparim në raport me atë që shteti duhet të bëj me fermerin. Unë kam ardhur në radhë të parë t’ju garantoj që plani ynë për bujqësinë do zbatohet pik për pik. Kam ardhur t’ju garantoj që ky planë është bazuar i gjithi në nevojat reale por edhe mundësitë reale të shtetit për t’ju ndihmuar. Kam ardhur t’ju garantoj që një tjetër proces i rëndësishëm që duket që është larg por është shumë afër jetës tuaj të përditshme.  Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të na japë mundësinë që për çdo lekë që do hedhim në për subvencionime, për infrastrukturën njerëzore, do të kemi të paktën 1 euro apo dyfishin nga Bashkimi Evropian. 8 vite me radhë fermeri i Maqedonisë së Veriut, fermeri i Kosovës ka marrë subvencionime vazhdo të prodhojë e vazhdon  ta shesë prodhimin e vetë në Kosovë, në vendin e vetë në Maqedoni, ta eksportojë, ta sjellë në Shqipëri, të nxjerrë fitime e të vazhdojë ciklin e prodhimit me kokën lart, me xhepat plot me siguri për veten e vetë. I vetmi fermer që këto tetë vite ka ulur kokën nga braktisja dhe dështimet tetë vjeçare është fermeri shqiptar. Dhe Unë iu them 25 prilli për ju është një ditë ndryshimi sepse kur themi prioritet, kur themi zhvillim rural, bujqësinë, blegtoria, prodhimi juaj, agrobiznesi, agro-përpunimi janë prioritete, këto nuk janë llafe por janë buxhet. Kur kemi thënë që prioritet janë rrugët ne kemi caktuar buxhetin për rrugët për të ndërtuar rrugët dhe kur themi që prioriteti i qeverisjes së ardhshme është bujqësia  ku  jeton gjysma e popullsisë së vendit që do të thotë që ne në buxhetin e ardhshëm ato zotime që kemi  marrë do fillojmë ti zbatojmë prej muajt të parë duke rishikuar buxhetin e 2021. 100 milion euro në vit subvencione dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerin sipas prodhimit, sepse ne e dimë që ky prodhim ndryshe shkon në treg, e ndryshe shitet kur ke zero mbështetje e merr prapë dhe e hedh në kanal, se nuk të shitet, se vjen prodhimi i eksportit më i lirë se prodhimi jot, megjithëse ti e ke më të freskët, më të mirë ai e shet më lirë, se e ka të subvencionuar. Kush e ka sjellë prodhimin. E ka sjellë një grusht importuesish që përfitojnë ndërkohë që gjithë fermerët rrënohen. Por kur prodhimi të jetë i subvencionuar, do të thotë që nga farat, fidanët, që i shkuar çmimi 12-13 mijë lekë më shumë më thanë këto javët e fundit. Plehrat kimike, nafta të gjitha këto ndikojnë drejtpërdrejt tek kostoja e prodhimit dhe duke ulur koston e prodhimit përmes subvencionimit ju do të jeni në gjendje t’i shisni këto prodhime, që janë prodhime të freskëta cilësore me çmime që s’ka askush t’iu kontrollojë jashtë Shqipërie dhe fitimet ti fusni në xhepin tuaj. Kaloni nga fermer borxhli në fermerë që fillojnë krijojnë sipërmarrje praktikisht, fitim. Ky pra është përkushtimi që kemi ndaj jush, ky është angazhimi që kemi ndaj jush. Ne nuk vijmë me premtime që  i shpikim një muaj para zgjedhjeve. Ne vijmë pasi jemi ulur me ju 8 vite me rrallë dhe kemi analizuar problematikat, kemi analizuar potencialin e vërtetë që ka bujqësia shqiptare, për mirëqenie jo për mbijetesë. Kemi analizuar edhe mundësitë e shtetit për të ndihmuar. Unë s’di  të them do ju jap 1 miliard euro, nuk vij të ju premtoj hënën. Unë ju them aq sa bën Kosova me gjysmën e buxhetit të Shqipërisë, si fillim. Aksesi në tregje, po kështu është shumë i rëndësishëm. Më çojnë foto, filmime në mënyrën sesi dhunohen familjari  i juaj se ka shkuar të shes sallatën në Tiranë. Ndërkohë, që shteti nuk është kujtuar ta krijojë infrastrukturën në tregje si kudo tjetër në rajon. Nuk po flas në Evropë, në rajon. Pra  kam ardhur të ju them se 25 Prilli është një ditë çlirimi nga ankthi dhe terrori, nga arroganca  e pushtetit  që kërkon leje qarkullimi për traktorët, zetorët. Këto janë vendime të padiskutueshme. Ju keni në dorë që ti bëjmë realitet. Ne kemi në dorë dhe e kemi detyrë që t’ju tregojmë rrugën se si do ta ndryshojmë mirëqenien tuaj, bujqësinë, ekonominë në tërësi. Se po ndryshoi mirëqenia e gjysmës së atyre që prodhojnë do të ndryshojë mirëqenia e gjysmës së atyre që konsumojnë prodhimet tuaja në qytet, do bëhet më e përballueshme kostoja e jetesës. Dhe në këtë mënyrë fitojmë të gjithë. Fiton Shqipëria. Prandaj themi fiton Shqipëria, nuk është slogan elektor. Është një plan konkret për t’ju nxjerrë të gjithëve nga kjo krizë dhe nga këto vuajtje. Por vendimin për ndryshim apo jo këtë e keni në dorë ju. Dhe ky është vendimi më i rëndësishëm që do merrni. Jo thjesht për veten tuaj por për fëmijët tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Këtë mos e harroni. Edhe të atyre që nuk votojnë dot se janë nën 18 vjeç. Më 25 Prill për këtë do të votoni. A do të mbajë dot kurrizi juaj i lodhur nga arroganca, nga taksat, nga çmimet e larta, edhe 4 vjet të tjera si këto 8 që kaluan? Apo do të zgjidhni ndryshimin? Një qeveri që njësoj si qeveritë fqinje do t’ju përgjigjet me subvencione, me investime në infrastrukturë dhe do jua heqë lakun e terrorit e të stresit dhe të presionit psikologjik, e do ju lejojë të punoni dhe të çlironi energjitë pozitive me liri, me mundësi dhe me përkrahje maksimale për ju. Pyetja e vetme e 25 Prillit kjo është, a mbani dot edhe 4 vjet të tjera si këto 8 që kaluan? Apo do të votoni për ndryshim? Tek fermeri shqiptar përgjigjja është unanime dhe kur them unanime kam parasysh fermerë të majtë, fermerë të majtë. Dhe ju mendoni nganjëherë që ai edhe merr ndonjë gjë. Më kanë ardhur, më kanë takuar dhe më kanë thënë 0 përkrahje kemi pasur këto tetë vite. Asnjë qindarkë subvencione!” Pse? Sepse vendi qeveriset nga një pakicë e pakicës. Se ata nuk përfaqësojnë as socialistët e ndershëm më! Përgjigjja është ndryshimi dhe ndryshimi vjen vetëm duke votuar Partinë Demokratike, Aleancën për Ndryshim, numrin 9, me 25 prill! Pas kësaj nisin përgjegjësitë e mia dhe të ekipit tim. Kam ardhur vazhdimisht këtyre tetë viteve, megjithëse e vetmja gjë që kam pasur në dorë, ishte t’ju dëgjoja, edhe t’ju jepja zë shqetësimeve tuaja. Me fuqinë e votës tuaj, do mundësoni që nesër, kur t’ju vij prapë, t’ju vij si kryeministër i një qeverie që mban fjalën, që ju ka sjellë subvencionet, që ju ka liruar nga taksat, nga çmimet e larta të naftës, që ju ka liruar nga burokracirat, që ju ka hequr qafe inspektorët dhe sjelljen brutale të shtetit dhe që nderohet dhe ndihet mirë, kur ndiheni ju mirë, kur ndiheni ju të nderuar e kur keni ju mirëqenie për veten tuaj dhe për ekonomitë tuaja”, tha Basha.

Kreu i opozitës, gjithashtu u zotua se me ndryshimin e reformës territoriale, qeveria do të jetë më afër qytetarëve.

“Ne do të kthejmë decentralizimin e vërtet, ju banorët e Baldushkut, njësoj si banorët e Petrelës, Farkës, Bërzhitës, Krrabës, Dajtit, e të Ndroqit, të Vaqarit, të Kasharit, të Prezëz, të Vorës, do të keni mundësinë të shpreheni me referendum për ndarjen e re territoriale. Nuk do të jetë më kryetari i pushtetit vendor të Baldushkut te kali i Skënderbeut, por do jetë sa më afër jush. Do ta zgjidhni ju, do përgjigjet para jush dhe kështu ne do të realizojmë një standard evropian, i cili thotë që pushteti duhet të jetë sa më afër qytetarit”, tha Basha.

Top Channel