Rama me sipërmarrës të rinj në fushën  e teknologjisë: Do të mundësojmë tregun global, nuk do të keni nevojë të ikni nga vendi

11/04/2021 12:07

Kryeministri i vendit, Edi Rama zhvilloi një takim me të rinjtë e angazhuar në teknologji, ku premtoi bashkëpunim më të mirë të qeverisë me sipërmarrësit,

Si t’u japim të rinjve dhe të rejave që kanë pasur mundësinë të ikin diku tjetër, por duke qëndruar këtu, të angazhohen në një treg si është tregu i madh global. Jo vetëm kaq, por të kenë dhe të ardhura goxha të mëdha. Është kjo mundësia për t’u rritur në nivelin e aktivitetit ‘online’, dhe ju dhe ne që jemi përfaqësues të interesit publik. Ta arrijmë brenda kësaj dekade dhe ajo që kemi hedhur si bazë gjatë qeverisjes digjitale, ku ne sot jemi të parët në rajon për nga shumëllojshmëria e shërbimeve publike që ofrohen ‘online’. Për të shkuar në nivel tjetër na duhet një bashkëveprim shumë intensiv.

Na duhet një mënyrë funksionimi komplomentare dhe e përbashkët. Dhe ne duam, që pjesën e kodimit, ta institucionalizojmë si një objekt kombëtar, që t’i japim mundësi një numri gjithnjë e më të lartë fëmijësh që futen në rrjetin e kodimit. Në vitin 2021, 2022, diskutojmë për 6 qendrat e para që ofrojnë të gjitha kushtet në teknologji”, u shpreh Rama përballë të rinjve.

Kryeministri shprehu nevojën e një bashkëpunimi më të mirë me të rinjtë që kanë ide si mund të investohet më shumë në teknologji. “Jemi në një periudhë ku duam të ngjitemi dhe kjo kërkon forca të reja. Forcat i kemi por duhet të krijojmë më shumë sinergji, ju duke na mbështetur me idetë dhe prezencën tuaj dhe ne duke reaguar ndaj këtyre kërkesave të rëndësishme.

Kemi nevojë për konsolidim mes arsimit profesional dhe studimeve të thelluara të larta. Të merren dije specifike për të hyrë në profesione specifike”.

Sipas tij, do të rritet buxheti i universiteteve, që të mundësohen programet e huaja dhe studentët të mos largohen nga Shqipëria. “Do të vendosim 10 milion euro në fillim që t’i nxisim universitet të lidhen me universitetet e huaja. Të ketë p.sh. në Universitetin e Gjirokastrës programe të një universiteti të huaj, që studimi të bëhet këtu dhe të rinjtë të mos kenë nevojë të ikin. Po flas për integrimin e universiteteve tona me universitetet e huaja”.

 

Top Channel