Disa qindra kilogram kokainë u sekuestruan në portin e Durrësit këtë të shtunë. Sasia e drogës së bllokuar ishte fshehur në tavanin e një kontenieri që vinte nga Ekuadori me destinacion në portin e Durrësit.

Nga kontrolli brenda në kontenierin me banane u gjetën rreth 200 pako kokaine, ndërsa policia është detyruar që të presë me freksibël pjesën e tavanit. Dyshimet e autoritetit portual kanë lindur për shkak të origjinës nga vinte ngarkesa dhe menjëherë është vendosur në zonën e rrezikut, ku i është nënshtruar një kontrolli më të imtësishëm në skaner.

Ngarkesa me banane i përket kompanisë Masabi Fruits me qendër në Kombinat Tiranë. Aksioner rezultojnë Klajdi Xibraku dhe Erion Peti, emra të padëgjuar më parë për përfshirje në trafik droge.

Kontenieri ku u gjet kokainë është shkarkuar nga anija e kontenierëve “Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin  grek të Pireut. Anija është ankoruar paraditen e së shtunës në portin e Durrësit dhe nga kontrolli në njërin prej kontenierëve me ngarkesën e bananeve të shkarkuar prej saj u zbulua sasia e paligjshme e drogës.

Në fillim të muajit prill me të njëjtën linjë trafiku u kapën dhe sekuestruan 49 kg kokainë të fshehur në kolonat e një kontenieri të ardhur me ngarkesë bananesh për llogari të kompanisë së Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt i dënuar për trafikun e 613 kg kokainë.

Top Channel