Jep dorëheqjen nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri/ Kandidat i PDIU-së më 25 prill

08/03/2021 12:51

Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri ka dhënë sot dorëheqjen.

Dorëheqja ka ardhur për shkak të kandidimit për deputet në Durrës. Ai do të jetë pjesë e kandidatëve për deputetë të PDIU-së. Tahiri do të përfshihet në listën e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për ndryshim”.

I emëruar në bashki në shkurt të vitit 2016, Florian Tahiri, erdhi në këtë post nga radhët e PDIU-së, forcë politike në të cilën është pjesë prej vitesh.

Tahiri thotë se do t’i bashkohet PDIU-së në përpjekje për të zgjidhur çështjen çame dhe për të realizuar amanetin e gjyshërve të tij. Ndërkohë që i kërkon ndjesë atyre që nuk ka mundur të ndihmojë detyrës si nënkryetar i bashkisë së Durrësit, shton se ka bërë sa mundi gjatë këtyre viteve të vështirë për qytetin.

Sot, mbas 5 vitesh në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë Durrës dhashë dorëheqjen.

Në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë kolegët për bashkëpunimin. Sidomos dy vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për ne. Ndërkohë i kërkoj ndjesë të gjithë atyre qytetarëve, të cilëve nuk kam mundur t’i përgjigjem apo t’i mbaroj punë, më besoni që kam bërë gjithmonë më të mirën e mundshme dhe përkushtimi im ka qenë maksimal për të respektuar qytetin dhe institucionin që unë përfaqësoja.

Ky vendim lidhet me faktin që unë do përfaqësoj PDIU-në në zgjedhjet parlamentare dhe do bëj më të mirën për amanetin e gjyshërve të mi duke u përpjekur për zgjidhjen e Çështjes Çame, pa harruar asnjë moment Durrësin qytetin tim që i detyrohemi aq shumë. Ju faleminderit për mbështetjen”.

 

Top Channel