Emri/ Ekzekutohet me armë zjarri në mes të Tiranës biznesmeni 66-vjeçar! I njohur në botën e krimit

25/02/2021 09:22
Viktima, Behar Sofia

TIRANË- Një ekzekutim i stilit mafioz ka tronditur mëngjesin e sotëm kryeqytetin. I vrarë ka mbetur 66 vjeçari, Behar Sulo Sofia nga Lapardhaja Beratit  banues ne Rrugën e Qelqit Kombinat.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, pranë Piramidës, buze lumit të Lanës, ku fillimisht Behar Sofia është gjetur i plagosur rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spital por pa mundur të mbijetojë.

Mësohet se viktimën e kanë kapur të paktën dy plumba që i kanë marrë jetën. Dyshohet se autori/ët e kanë ekzekutuar me armë me silenciator pasi nuk është raportuar për krisma arme. Në momentin e krimit, viktima ecte në këmbë në trotuar.

Grupi hetimor ka marrë ndërkohë dhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të bizneseve dhe objekteve pranë vendit të ngjarjes.

Por kush është Behar Sofia?

Viktima sipas burimeve të Top Channel ishte një biznesmen por emri i tij është lakuar disa herë në disa nga ngjarjet më të mëdha kriminale në vend. Sofia është  një emër i njohur për policinë si një person i përfshirë në aktivitete kriminale të drogës.

Mësohet se ai kishte tre emra, Behar Seferi, Behar Sofia, Fatmir Sofia. Ai  më parë është arrestuar sëbashku me Abdulselam Turgut duke u akuzuar për trafik droge nga Turqia në Shqipëri.  Konkretisht, në vitin 1998 ai është arrestuar për llogari të autoriteteve turke i akuzuar për trafikim ndërkombëtar të drogës, kryesisht heroinës. Turgut u prangos më 18 shkurt të vitit 2011, një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman. Turgut akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e 1 ton droge, ndërkohë që kërkohet edhe nga Rumania, Austria, Holanda e Italia. Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri. Ndërkohë emri i turkut lakohet edhe për përfshirje në organizatë terroriste. Celula terroriste ku bënte pjesë, mes të tjerash akuzohet për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.

Ndërkohë ai njihet edhe si pronar i disa bizneseve në pranë stadiumit Dinamo në Tiranë. Ai ka pasur konflikte të vazhdueshme, ku kjo shpjegon edhe disa sulme që i janë bërë bizneseve të tij me lëndë plasëse.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel