Vaksina e re tregon 89.3% efikasitet ndaj variantit britanik të COVID/ Ruhet në temperaturë normale

29/01/2021 08:45

Një vaksinë kundër variantit të ri britanik të COVID-19  ka treguar se është 89.3 % efektive.

Sipas BBC, vaksina e kompanisë Novavax është e para që tregon se është efektive kundër një varianti të ri të koronavirusit, të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, tha se ky është një “lajm i mirë” dhe shtoi se rregullatorët shëndetësorë të Mbretërisë së Bashkuar do ta vlerësojnë vaksinën.

Mbretëria e Bashkuar ka siguruar 60 milionë doza të vaksinës Novavax.

Ato pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të vitit, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, tha Qeveria britanike.

Deri më tani, Mbretëria e Bashkuar ka miratuar tri vaksina të koronavirusit për përdorim: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Oxford/AstraZeneca.

Ndryshe nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna, Novavax mund të ruhet në temperaturë të rregullt të frigoriferit.

Vaksinimi në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Qeverisë, mbi 7.4 milionë njerëz kanë marrë deri më tash dozat e para të vaksinave.

Mbretëria e Bashkuar është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi dhe ndër më të prekurit në botë. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 3.7 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 102,000 kanë vdekur.

 

Top Channel