Serbia vaksinon më shpejt, renditet pas Britanisë së Madhe për ritmin e vaksinave

28/01/2021 12:04

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka krahasuar shpërndarjen e vaksinave anti Covid në Evropë me mbytjen e titanikut duke thënë se të pasurit po shpëtohen ndërsa të varfrit në Ballkan po lihen të mbyten.

Serbia ka kthyer sytë nga Kina për vaksinat e saj duke thënë se ka pak shpresa për të marrë furnizime nga Bashkimi Evropian. Falë Kinës dhe rreth 1 milionë dozave të vaksinës Sinopharm, programi i vaksinimit në Serbi po merr ritëm.

“Më në fund e mora vaksinën. Ndjehem shumë mirë sepse do të mund të jetoj normalisht sërish. Nuk kam aplikuar për asnjë vaksinë të veçantë, vendosa të bëja cilëndo që do të më ofronin dhe jam i kënaqur që e kam bërë këtë”, thotë një banor i Beogradit.

Beogradi po importon vaksinën e Sinopharm, që po ashtu është miratuar edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Faza tre e testimit, ka treguar një efikasitet të saj në masën 79086 për qind. Blerja i ka mundësuar popullatës në Serbi, procesin e dytë më të shpejtë të vaksinimit në Evropë, me 4.6 doza për 100 banorë, duke bërë që Serbia të renditet pas Britanisë së Madhe por para të gjithë vendeve të tjera të BE.

Aleanca e Serbisë me Kinën i ka rrënjët e thella. Pekini ka investuar shumë në vendin që shpreson të bëhet qendra e trajektores së tij të tregtisë, Një rrip, një rrugë. Dhe për kritikët e strategjisë së tij të Vaksinës, Vuçiç përgjigjet se ai po konkurron në një luftë globale për furnizime në të cilën vendet e varfra po lihen pas.

“Bota është goditur nga një ajsberg si Titaniku, të pasurit shpëtojnë. Ata kanë përgatitur barkat e shpëtimit për vete ndërsa për ne që nuk jemi të pasur, që jemi të vegjël, si vendet e Ballkanit perëndimor, po mbytemi bashkë me Titanikun. Ata mund të mos kenë këtë qëllim por nuk ka shumë rëndësi për ta”, tha ai.

Serbia ka marrë edhe një furnizim me 10 mijë doza të vaksinës së Pfizer, por Vuçiç thotë se ai vetë do të marrë vaksinën kineze.

Top Channel