Basketboll në kohë Covidi, Ministria e Shëndetësisë miraton kërkesën për zhvillimin e ndeshjeve

28/01/2021 14:16

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur që të lejojë zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit, të cilat ishin pezulluar për shkak të pandemisë.

Federata Shqiptare e Basketbollit kishte dërguar një shkresë, për të cilën mori përgjigjen se do të rikthehen aktivitetet, por duhen respektuar masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Në përgjigje të shkresës tuaj, Nr. 3 Prot, datë 11 Janar 2021, të regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me Nr. 149 Prot, datë 12.01.2021, me lëndë: “Kërkesë për vëmendje dhe mbështetje të posaçme për Federatën Shqiptare të Basketbollit, ju bëjmë me dije se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e miraton kërkesën tuaj për zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit.

Gjatë zhvillimit të aktiviteteve të respektohen masat e distancimit social si dhe masat higjieno-santiare për parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid-19”, thuhej në përgjigjen për kërkesën e Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Top Channel