Floresha Rasha

Floresha Rasha shtetasja e parë shqiptare që u nxor nga kampet e Sirisë, për tu riatdhesuar në Shqipëri fundvitin e shkuar është operuar me sukses në spitalin e Traumës.

Një burim nga ky spital i tha gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se Floresha Rasha iu nënshtrua një operacioni të gjatë, disa orësh për të korrigjuar dëmtimet në këmbë paraditen e të hënës.

Mjekët pohuan se operacioni ka përfunduar me sukses dhe më pas asaj do t’i duhet t’i nënshtrohet disa seancave fizioterapie. Gjatë kthimit nga Bejruti në Tiranë në intervistën e saj të parë ekskluzivisht për Top Channel ajo tregoi se ishte plagosur në këmbë nga një snajper.

Po ashtu Floresha Rasha tregoi se vajza e saj mbeti e vrarë nga bombardimet.

Floresha Rasha u ngjit në avion përmes një karroce invalidi pasi e kishte të pamundur ecjen si pasojë e plagosjes. Kushtet në të cilat ajo ndodhej në kampin Al Hol si pasojë e plagosjes e nevojës për një operacion kirurgjikal të specializuar bënë që autoritetet kurde të lejonin që ajo të kthehej në Shqipëri bashkë me tre fëmijët e saj.

Nxjerrja e saj nga kampet e Sirisë bashkë me tre fëmijët e saj, dy vajza e një djalë, përfshi edhe Endri Dumanin u bë e mundur falë një operacioni të komplikuar 5 javor në terren nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Kthimi i tyre ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministri i atëhershëm i punëve të brendshme Sandër Lleshaj ndodhi më 27 Tetor 2020.

Burime nga Ministria e Brendshme i thanë Top Channel se riatdhesimi i gjithë pjesës së mbetur të grave dhe fëmijëve në Siri është një prej prioriteteve të ministrit të ri të punëve të brendshme Bledi Çuçi.

Sakaq autoritetet ligj-zbatuese shqiptare janë në kontakt me forcat e inteligjencës së Libanit për të realizuar një operacion të dytë humanitar të sjelljes së shqiptarëve nga kampet e Sirisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara disa ditë më parë lëshoi alarmin për kushtet e përkeqësuara të sigurisë në kampin Al Hol ku gjatë dy javëve të fundit janë vrarë 12 persona.

Në këtë kamp qëndrojnë 62.000 persona 80% gra dhe fëmijë. Kampi Al Hol është në administrimin e kurdëve.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel