Betohet Biden, zyrtarisht presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

20/01/2021 17:52

Joe Biden është zyrtarisht Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Demokrati Joe Biden u inaugurua dhe u betua këtë të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamla Harris po ashtu bëri betimin si nënpresidente

Ai u betua me asistim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë John Roberts.

Presidenti bëri betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë e historisë dhe shpresës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi bëri betimin në platformën e Kongresit amerikan.

“Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave. Sot, ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë”.

“Ne mësuam përsëri se demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë dhe, në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, tha Biden, duke u zotuar se do të jetë president i të gjithë amerikanëve.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën. Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Para marrjes së detyrës, zoti Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t’u përballur me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.

“Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb,” tha zoti Biden të martën vonë ndërsa bashkë më zonjën Harris udhëhoqi një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur.

Ai më vonë u zotua të “fillojë menjëherë nga puna” duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb”.

FOTO GALERI
1/40

Top Channel