Ushtria amerikane ka ulur numrin e trupave në Afganistan në 2.500. Ky është niveli më i ulët i pranisë amerikane në gati dy dekada, tha Pentagoni më 15 janar.

Presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëroi tërheqjen e rreth 1.500 trupave në nëntor, duke nxitur një reagim të ashpër nga Kongresi pasi vendimi u mor në një kohë të sulmeve të vazhdueshme të talibanëve ndaj qeverisë afgane, megjithëse të dyja palët janë angazhuar në bisedime të paqes.

“Shtetet e Bashkuara janë më afër se kurrë për t’i dhënë fund gati dy dekadave të luftës dhe për të mirëpritur në një proces paqësor të udhëhequr nga Afganistani për të arritur një zgjidhje politike dhe një armëpushim të përhershëm dhe gjithëpërfshirës”, tha Sekretari në Detyrë i Mbrojtjes, Chris Miller, në një deklaratë.

Sipas një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe talibanëve të arritur në muajin shkurt të vitit të kaluar, të gjitha forcat e huaja janë planifikuar të largohen nga Afganistani deri në maj të vitit 2021 në këmbim të garancive të sigurisë nga grupi militant, duke përfshirë ndërprerjen e lidhjeve me Al-Kaidën.

Megjithë zvogëlimin e trupave, Pentagoni tha se forcat amerikane ishin akoma të afta për operacione kundër terrorizmit dhe trajnimin e forcave afgane të sigurisë.

Komandantët ushtarakë do të vazhdojnë të planifikojnë për një dalje të mundshme të plotë nga Afganistani deri në maj në përputhje me marrëveshjen me talibanët. Pentagoni deklaroi se “çdo tërheqje në të ardhmen do të bazohet në kushte”.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, i cili merr detyrën më 20 janar, do të marrë vendimet kryesore për mënyrën se si Uashingtoni i trajton bisedimet e paqes dhe çdo tërheqje të mëtejshme të trupave.

Sipas urdhrit të Trumpit, komandantët gjithashtu ulën nivelet e trupave amerikane në Irak në 2.500 nga rreth 3,000.

Në një deklaratë të veçantë, Pentagoni tha se qëllimi ishte përmbushur, “pasi janë rritur aftësitë e forcave të sigurisë së Irakut” kundër grupit militant Shteti Islamik.

Miller shtoi se forcat amerikane do të vazhdonin ende operacione kundër terrorizmit në Irak për të mbështetur forcat partnere përmes fuqisë ajrore dhe inteligjencës./REL/

Top Channel