Gomonia me 50 emigrantë/ Prangoset njëri prej bashkëpunëtorëve

10/01/2021 17:53

Polica e Vlorës arrestoi një 63-vjeçar të akuzuar se strehoi në hotelin e tij 9 prej klandestinëve të kapur një ditë më parë, teksa largoheshin me gomone drejt Italisë.

Ndalimi i shtetasit me iniciale F.D, i cili rezulton banues në Tiranë, u bë gjatë operacionit të përbashkët nga specialistët e Seksionit për hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Vlorë me me Departamentin e Policisë Kriminale, Tiranë. Materialet i janë referuar prokurorisë, për veprën penale ”Dhënie Ndihmë për Kalim të Paligjshëm Kufiri” e kryer në bashkëpunim.

Gomonia me mbi 50 emigrantë në bord u shpëtua mesnatën e së premtes nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane afër grykëderdhjes së lumit Vjosa.Sipas dëshmive të emigrantëve, ajo u ça nga dallgët dhe për pasojë një pjesë e tyre, kryesisht nga Siria, Irani dhe Egjipti, morën djegie në lëkurë në pjesë të trupit nga benzina që përplasej nga presioni dallgëve.

14 emigrantë u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, sipas burimeve spitalore, ndërsa të tjerët morën ndihmë në spitalin e Vlorës dhe më pas u dërguan në mjediset policore. Mes tyre në Vlorë ndodheshin edhe katër gra dhe një fëmijë, ndërsa mes të lënduarve, që u dërguan në Tiranë, ishin edhe tre fëmijë të tjerë. Emigrantët kanë dëshmuar se paguan nga 2 mijë deri në 4 mijë dollarë te skafistët, që u kishin premtuar se do t’i dërgonin në Itali me jaht.

Top Channel