Trotuaret por edhe rrugët e Tiranës janë ngushtuar për shkak të korsive të biçikletave, por ende në rrugë  sheh përdorues të biçikletave që nuk përdorin korsitë e dedikuar për ta.

Vëzhgimi i Fiks Fare shfaqi  pamje të përdoruesve të biçikletave që ecin paralelisht me korsitë e dedikuar atyre, duke u kthyer në një burim aksidenti.

Shumica e tyre edhe pse janë të vetëdijshëm për rrezikshmërinë që u kanoset në rrugën automobilistike, e përdorin atë duke injoruar korsitë e dedikuara ku janë edhe më të sigurt.  Për mikrofonin e Fiks Fare disa shprehen se ecin pa vetëdije dhe e mirë është të përdoren korsitë e dedikuara, kurse disa të tjerë vazhdojnë rrugën duke injoruar kameran.

Për këtë gjë Fiks Fare intervistoi edhe shefin e qarkullimit të Tiranës z. Taulant Gjoka i cili pohoi se ende përdoruesit e biçikletave nuk janë ndërgjegjësuar që të ecin në korsinë e dedikuar për ta.  “Edhe pse në  Tiranë është rritur infrastruktura e përdoruesve të biçikletave duke bërë korsi të dedikuar ende qytetarët janë të pakujdesshëm për t’i përdorur ato. Nuk janë të pakta rastet që policia ka ndaluar përdorues të biçikletave që nuk përdorin korsitë e tyre dhe nga ana e policisë deri më tani më shumë është këshilluar, por nuk kanë munguar edhe masat e marra” shprehet shefi i qarkullimit.

Gjithsesi shtimi i korsive në Tiranë ka sjellë një përmirësim të qarkullimit shton ai, duke ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve për vitin 2020 në krahasim me një vit më para. Z Gjoka shpreson në ndryshimin e Kodit Rrugor, pasi masat administrative për këtë kategori shkelësit janë shumë të ulëta. Ato variojnë nga 250 deri në 1000 lekë.

Tirana është i vetmi qytet në Shqipëri që i ka kushtuar më shumë vëmendje transportit dyrrotakë, me më shumë korsi për biçikletat.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel