Tërmet 6.6 ballë në Izmir/ Të paktën 17 jetë të humbura dhe mbi 700 të plagosur në Turqi! Dy fëmijë të vdekur në Greqi!

30/10/2020 17:20

Një tërmet i fuqishëm 6.6 ballë ka tronditur brigjet e Izmir në Turqi. Lëkundjet e forta janë ndjerë në Stamboll, Izmir, Çanakkale, Denizli, Bursa dhe në Greqi.  

Deri më tani raportohet se janë gjetur të paktën 17 viktima dhe mbi 7000 të plagosur në Turqi. Ndërsa në Samos të Greqisë kanë humbur jetën dy fëmijë, 15 dhe 17-vjeç të cilët janë zënë poshtë nga një mur.

Njerëz që bërtasin të tmerruar dhe rrënoja të shumta, këto janë pamjet që janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale.

Tërmeti i fuqishëm tronditi dy shtete, Greqinë dhe Turqinë. Associated Press flet për të paktën 20 ndërtesa të shkatërruara në qytetin turk të Izmirit, (i treti më i madh në vend), në  Bornova dhe Bayrakli. Epiqendra e tërmetit të dhunshëm ka qenë pranë brigjeve turke ne Egje dhe pranë ishullit grek të Samos-it. Lëkundjet janë ndjerë të forta deri në Athinë e Stamboll. Dëshmitarët okularë tregojnë se si njerëzit vrapuan të tmerruar nëpër rrugë në momentin kur toka u drodh.

Kryetari i Bashkisë së Izmirit, Tunc Sojer e pranoi se ka njerëz nën rrënoja, por numri i saktë i tyre nuk dihet ende. Ndërkohë guvernatori i qytetit deklaroi se aktualisht janë nxjerrë nga rrënojat 70 persona. Raportet e deritanishme tregojnë se vetëm një person është nxjerrë për momentin i gjallë nga gërmadhat. Dëmet materiale janë të shumta. Mediat turke thonë se tërmeti u ndje në mbarë rajonin e Egjeut dhe Marmara.  Ndërsa në ishullin e Samos-it u dha paralajmërim për tsunami e njerëzive iu kërkua t’i qëndronin larg vijës bregdetare. Pamjet filmike treguan ujin e detit duke vërshuar nëpër rrugë. Njerëzit shkruajnë në rrjetet sociale se ka shumë demë dhe disa prej tyre janë bllokuar në katet e sipërme të shtëpive. Sizmologu grek, Efthymios Lekkas i tha televizionit ERT se është ende shumë shpejt për të pohuar nëse do të ketë lëkundje të tjera, pasi situata sipas tij është në zhvillim.

Ndërkohë, më herët ministri turk Soylu bëri një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter:

“Ekipet tona vazhdojnë shqyrtimin dhe ndërhyrjen e tyre. Shërohuni shpejt”, tha ai.

 

FOTO GALERI
1/6

Top Channel