Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, do të vizitojë sot Tiranën.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se në agjendën e takimeve parashikohen takime me ministrin e jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta, takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, si dhe me kryetarin e PPDNJ Vangjel Dule.

Mësohet se më pas do të ketë takime me bizneset greke në Shqipëri, për ta mbyllur vizitën me një takim me Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Një vizitë kjo, prej kohësh e paralajmëruar, por e mbetur ende e pa zhvilluar, së pari për shkak të agjendës tepër të ngjeshur të zotit Dendias, për shkak të tensionit të lartë në Egjeun lindor mes Athinës dhe Ankarasë lidhur me kërkimet për naftë dhe gaz, tension që me gjasa mund të çojë të dy vendet në një përballje ushtarake, por edhe për shkak të rezultateve që kjo vizitë pritet të sjellë, pikërisht 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

Por ç’pritet të sjellë vizita e Dendias në Shqipëri?

Në plan të parë ajo vlerësohet si pozitive,pasi mbas dy vjet ngrirje,më në fund të dy vendet i janë kthyer tryezës se bisedimeve.

Në Athinë dyshja Mitsotakis-Dendias,vlerësohet si pragmatiste,dhe në këtë kuadër,Athina nëpërmjet kanaleve të saj komunikuese, ka lënë të kuptojë se ky është rasti i artë për një zgjidhje definitive të asaj që quhet shporta e problemeve mes dy vendeve.

Tashmë në të dy anët e kufirit e kanë pranuar se heqja e ligjit të luftës mes dy vendeve,mbetet e vetmia rrugë,dhe po ashtu edhe marrëveshja për delimitimin e ujërave mes dy vendeve.

Athina ka pranuar se një marrëveshje e re mes dy vendeve,në të cilën Shqipëria do të marrë atë që e drejta ndërkombëtare i jep,është e vetmia rrugë,ndërsa nga ana tjetër,tema e detit i është kthyer në bumerang qeverisë socialiste të Edi Ramës, e cila pavarësisht gabimeve të marrëveshjes se parë ne hartë dhe efektet e ishujve në zonën ekskluzive ekonomike , ishte një marrëveshje juridikisht e plotë dhe pozitive për vendin tonë.

Top Channel ka publikuar se dakordësia për marrëveshje e re mes dy vendeve,i jep Shqipërisë një avantazh 54 kundrejt 46%, për shkak të vijës bregdetare,por kthimi i kësaj çështje në arenës e luftës mes kryeministrit dhe presidentit,duket se lë pak shpresa që vizita e Dendias në Shqipëri të ketë “tym të bardhe”,të paktën përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Mes palëve ka disa marrëveshje të cilat po implementohen,dhe duket se kanë dhënë rezultate të mira.
Marrëveshja e varrezave të të rënëve grekë në luftën e dytë botërore,është një prej tyre,po ashtu edhe marrëveshja e njohjes së patentave në dy vendet.

Tekstet shkollore janë një tjetër marrëveshje e vlerësuar si produktive,dhe po ashtu edhe marrëveshja e mirëmbajtjes së piramidave dhe operacioneve të shpëtimit në zonën tokësore dhe detare mes dy vendeve.

Përmirësimi i kushteve të minoritetit grek që jeton në Shqipëri,si dhe lehtësimet që pritet të jepen për emigrantët shqiptarë në Greqi,janë një temë në të cilën të dy vendet kanë investuar politikisht,madje në kuadër të integrimit të minoritetit Grek në Shqipëri, Athina shikon me sy të mirë shtimin e deputetëve minoritarë në listat fituese për parlamentin e ardhshëm në vendin tonë.

Ajo çka tashmë Tirana zyrtare ka të sigurt, është mbështetja greke në rrugën evropiane të Shqipërisë,ndaj edhe gjatë kësaj vizite, Nikos Dendias pritet ta thotë në të gjitha nivelet,se Athina është një mike e vyer e Tiranës, por si çdo miqësi mes fqinjëve,përshtatet në interesat gjeopolitike të saj në rajonin e Ballkanit.

Top Channel