Trump, Putin e Macron kërkojnë armëpushim në Karabak/ Erdogan kërkon tërheqje të plotë të trupave armene

01/10/2020 16:03

Donald Trump, Vladimir Putin e Emmanuel Macron kanë kërkuar sot armëpushim të menjëhershëm në rajonin e konfliktuar të Karabak por presidenti turk Tajip Erdogan ka kërkuar ‘tërheqje të plotë të Armenisë’.

Në një deklaratë të përbashkët presidentet e Amerikës, Rusisë e Francës kërkuan rikthim në negociata për konfliktin mes forcave arzerbaixhanase dhe atyre etnike armene, që po vijon në mënyrë të përgjakshme në rajonin e Kaukazit prej pesë ditësh.

“Ne kërkojmë pushim të menjëhershëm të luftimeve mes dy forcave ushtarake”, thanë tre presidentët në kapacitetin e tyre si bashkë kryetarë të Grupit të Misk në OSCE.

“Ne i bëjmë thirrje gjithashtu liderëve të Armenisë e Azerbaixhanit të përkushtohen pa vonesë në negocjatat e paqes, me vullnet të mirë e pa parakushte, nën kujdesin e Grupit të Minskut të OSCE”, shkruanin ata.

Grupi i posaçëm është krijuar në 1992 për zgjidhjen paqësore të krizës së Nagorno-Karabak në jug të Kaukazit.

Por presidenti turk Tajip Erdogan e ka quajtur të papranueshme situatën ku vendet që kërkojnë paqen, e kanë neglizhuar për 30 vjet problemin.

Erdogan përsëriti se Armenia duhet të tërhiqet nga Nagorno-Karabak nëse do të ketë paqe mes Azerbaixhanit dhe forcave etnike armene.

Dje Armenia shfaqi fotot e avionit të saj SU-25 për të cilat tha se është rrëzuar nga një gjuajtës turk F-16 mes akuzave se Ankaraja po mbështete ushtarakisht i Azerbaixhanin.

Ky i fundit ka thënë se ka ‘neutralizuar’ 2,300 ushtarë armenë, në përplasjet më të rënda që prej armëpushimit të vitit 1994.

Top Channel