Dy jetë të humbura, një bari 64 vjeç nga Shqipëria dhe një e moshuar në fshatrat e Kardhitsës dhe Farsalës, si dhe një 40-vjeçare e zhdukur është bilanci tragjik i kalimit të ciklonit mesdhetar “Ianos” nga ishujt grekë të detit Jon dhe zonat e Greqisë Perëndimore e asaj Qendrore.

Pamjet dramatike të orëve të para të mëngjesit të së shtunës tregojnë kudo rrugë të shkatërruara, ura të shembura, shtëpi të përmbytura, pemë të shkulura dhe të thyera, skafe të mbytura, automjete të mbuluara me gurë e baltë, dëme të pallogaritshme në ndërtesa, infrastrukturë dhe të korra, ndërsa ka ndërprerje të energjisë elektrike në Kardhitsa, Magnezi, Fthiotida, Qefaloni, Itakë dhe Lefkada.

Në fshatrat Lefki dhe Orfana në prefekturën e Karditsës, është bërë thirrje për evakuim, ndërsa mediat greke publikojnë dhjetëra fotografi dhe video që dërgojnë banorët e zonave të dëmtuara. Për dallgë mbi 10 metra dëshmojnë banorë të ishullit të Zakinthos, ndërsa edhe në Lefkadha dhe Itakë fenomeni i tejskajshëm meteorologjik ka shkaktuar dëme kolosale dhe ka detyruar organet greke të shpallin gjendje të jashtëzakonshme për tre ishujt e Jonit.

Ndërsa në Greqinë kontinentale, në Lamia, niveli i ujit në aeroportin e vogël të shërbimit zjarrfikës arriti në mbi 60 cm. Në të gjitha zonat të cilat ka prekur cikloni, Shërbimi Zjarrfikës ka pranuar mbi 2450 thirrje urgjente për ndihmë, ndërsa ka shpëtuar rreth 600 persona që rrezikoheshin nga përmbytjet. Në një prej operacioneve të zjarrfikësve është shpëtuar edhe një familje shqiptare me një fëmijë tre vjeç, të izoluar dhe të rrethuar nga uji për disa orë gjatë natës në fshatin Karpohori Sofadhes, prane Kardhitsës.

Cikloni mesdhetar “Ianos” prej mëngjesit të së shtunës është zhvendosur më në jug , por ka shkaktuar reshje në Korinth, në periferinë e Athinës, Argolidhe dhe më pas në ishujt Cyclades të Egjeut.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/09/19/cikloni-ne-greqi-shpetohet-nje-familje-emigrantesh-shqiptare-me-nje-djale-3-vjec/

Top Channel