​Në zgjedhjet e 6 tetorit rreth 7 përqind e qytetarëve kanë votuar me asistencë

09/09/2020 11:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) ka publikuar Analizën e Votave me Asistencë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Të dhënat që janë nxjerrë për numrin e votuesve që kanë votuar me asistencë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të datës 6 tetor 2019, i përkasin: 2,536 vendvotimeve nga 2,547 vendvotime gjithsejtë, ose shprehur në përqindje i bie që të dhënat e votimit me asistencë, janë nxjerrë për 99.5% të vendvotimeve.

Nga 826,916 votues që kanë votuar në vendvotime në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, 55,961 votues kanë votuar me asistencë. Shprehur në përqindje, i bie që 6,76% e votuesve kanë votuar me asistencë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në hapje të takimit tha se votimi me asistencë, është i mundshëm në Republikën e Kosovës.

Ai tha se bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi i cili është me aftësi të kufizuar ose i cili nuk është në gjendje të shënojë ose të hedh fletëvotimin ose është analfabet, mund të ndihmohet nga një person tjetër i zgjedhur nga votuesi nëse ai kërkon një ndihmë të tillë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar çdo herë që pas të gjeturave të përmirësojë dhe avancojë aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor, brenda mundësive që ofron ligji aktual. Në këtë drejtim, edhe ky dokument i sotëm është shprehje e këtij angazhimi. Gjithashtu, po besoj se ky dokument do të shërbej edhe për qëllime studimi, për të gjithë të interesuarit e kësaj fushe”, tha Elezi.

Besnik Buzhala nga Divizioni i Shërbimit Votues në KQZ ka publikuar analizën tha se në 944 vendvotime që gjenden në zonat urbane të qyteteve apo komunave: 17,463 votues apo 31% kanë votuar me asistencë.

“Në 1,592 vendvotime që gjenden në zonat rurale apo fshatra: 38,498 votues apo 69% kanë votuar me asistencë.Nga numri i përgjithshëm i votuesve me asistencë, KQZ-ja ka analizuar të dhënat për 9,074 votues. Ajo që bie në sy është se 6,586 votues (72.58%) që kanë kërkuar asistencë gjatë votimit janë të gjinisë femërore, ndërsa 2,488 votues janë të gjinisë mashkullore (27.41%)”, tha Buzhala.

Sami Kurteshi anëtar nga VV në KQZ ka rekomanduar që në këtë analizën të futet edhe rekomandimi për deklarimin e qartë për arsyen e asistimit në votime.

Arianit Elshani anëtar i KQZ nga PDK-ja tha se ky dokument pasqyron numrin real të atyre qytetarëve që votuan me asistencë, ndërsa ka rekomanduar që në zgjedhjet e ardhshme kabinat e votimit të ndryshohen dhe të bëhen me dizajn të veçantë për votuesit me asisitencë.

Top Channel