​Hoti: Marrëveshja përfundimtare arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke

06/09/2020 14:09

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se nesër në Bruksel, takohen me palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Hoti ka shkruar në Facebook se kjo do të bëhet bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel.

Sipas Hotit, marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke.

“Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura. Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit”, ka shkruar ai.

Top Channel