Dëmtonin malin e Tomorrit/ Në pranga dy punonjës të firmave që nxirrnin gurë

04/08/2020 09:28
Foto ilustruese

Një administrator firme u vu në pranga pasi vazhdonte punën për nxjerrjen e pllakave dekorative edhe pse i kishin pezulluar licencën.

Gjatë kontrollit është vënë në pranga edhe një punonjës i një subjekti tjetër të përpunimit të gurit, ndërsa administratori i këtij subjekti një 61 vjeçar nga Tirana është shpallur në kërkim.

Arrestimet ndodhën pasi, në aksin dytësor Novaj–Pronovik, në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit”, u konstatuan dy mjete, njëri pa targa, të ngarkuar me pllaka guri dekorative, të nxjerra në Malin e Tomorit, zonë e shpallur “Park Kombëtar”, duke dëmtuar habitatin natyror të zonës së mbrojtur.

Dyshohet se këta shtetas materialin e gurit të nxjerrë në mënyrë të paligjshme në këtë zonë e tregtonin duke pasur aktivitetin me status të pezulluar dhe me fatura fiktive.

Materialet iu referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, ‘’Fshehja e të ardhurave’’ dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Top Channel