​“Akuzat për ushtarët e UÇK-së janë politikë e madhe e ndërkombëtarëve”

18/07/2020 13:28

Pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zonës së Dukagjinit veprimet e Dhomave të Specializuara të Hagës dhe vetë Gjykatën Speciale e quajnë një degradim për të gjithë popullin shqiptar. Madje ata thonë se prapa këtyre veprimeve është një politik e palës ndërkombëtare.

Xhavit Alijaj, i cili në kohën e luftës ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë se Gjykata Speciale është krijuar vetëm për degradimin e popullit shqiptar.

Alijaj, i cili kishte shërbyer në brigadën “Jusuf Gërvalla” duke qenë përgjegjës për furnizim me armatim në fillim të luftës në prill të vitit 1998, thotë se secili nga ata që kanë marrë pjesë në luftë e ka ballin e hapur të flas për UÇK-në.

Xhavit Alijaj i cili është edhe invalid i luftës pas shumë plagëve të marra ka humbur edhe shumë familjarë të tij për lirinë e Kosovës.

“Të flasësh për luftën e UÇK-së duhet ta kesh gjithmonë ballin e hapur ta ngritsh kokën lartë sepse ato motra dhe ata vëllezër ishin prej bijve më të mirë të të gjitha kohërave në historinë e popullit shqiptar… Të gjithë ata që i quajmë miq dhe armiq bëhen bashkë për të na degraduar luftën, me të vërtetë është degradim dhe dëshpërim dhe me të vërtetë duhet të jetë thirrje që të mobilizohemi që t’ia japim dorën njëri-tjetrit sepse kemi çka të mbrojmë. Nuk mbrojmë krimin, nuk mbrojmë dhunimet por luftojmë krimet dhe dhunimet kur dihet mjaftë mirë se cila ishte makineria serbe dhe çka bëri në vitet ‘98-‘99 sepse dihet mirë se Serbia e dogji dhe poqi Kosovën prej që ekzistoi… Gjykata Speciale nuk është asgjë tjetër vetëm se një degradim për popullin shqiptar”, tha Alijaj.

Brahim Shala nga Cërmjani i Gjakovës i cili ishte ushtar në brigadën 132 “Myrt Zeneli” në shtabin e zonës operative të zonës së Dukagjinit, veprimet e Gjykatës Speciale i quan politikë të madhe të ndërkombëtareve karshi çlirimtarëve të Kosovës.

“Kur flitet për luftën çlirimtare të Kosovës kjo gjykatë është ofendim dhe degradim, jo vetëm i Ushtrisë Çlirimtare por i gjithë popullit shqiptar, se luftën e ka bërë jo vetëm ushtria por edhe populli në përgjithësi sepse janë të vrarë me mijëra të pafajshëm, fëmijë, pleq, gra dhe kjo është një ofendim shumë i madh ndaj Ushtrisë Çlirimtare dhe popullit të Kosovës… Pas 21 vitesh që po ndodhin këto gjëra këto dënime të Ushtrisë Çlirimtare janë një politik shumë e madhe edhe e ndërkombëtarëve që na kanë ndihmuar në kohën më të vështirë që ka qenë dhe tash na u ka kthyer në të kundërtën dhe po na dënon për luftën e drejtë që e kemi bërë”, tha Shala.

Nexhmedin Berisha i cili gjatë luftës ishte pjesë e brigadës 126 në zonën e Pashtrikut thotë se i sheh me shumë shqetësim veprimet selektive të Gjykatës Speciale.

Ai thotë se asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka kryer asnjë krim madje deklaron se asnjëherë nuk kanë shkelur rregulloret e Konventave të Luftës.

“Jemi të shqetësuar dhe të indinjuar thellë me veprimet selektive dhe të njëanshme të Gjykatës Speciale, gjykatë e cila me dëshirë është formuar nga institucionet tona për ta pastruar dhe larguar njollën që u është vënë padrejtësisht çlirimtarëve dhe Ushtrisë Çlirimtare në tërësi. Është veprim i njëanshëm, i padrejtë dhe kurrën e kurrës asnjë ushtar çlirimtar nga rangu më i ulët i një ushtari e deri tek përgjegjësia e parë komanduese e njerëzve tanë që po gjykohen padrejtësisht nuk kanë bërë asnjë krim më të voglin gjatë luftës dhe deri në shtetndërtim e ku jemi sot. Përkundrazi, nga krerët tanë nga komandantët tanë, nga presidenti e njerëzit që po akuzohen nga kjo gjykatë ne gjatë luftës kemi marrë me qindra herë obligime besa-besa dhe urdhëresa të prera se asnjë rregullore e Konventave të Luftës, të Gjenevës të miratuar në vitin 1948 të mos shkelet dhe ajo është respektuar në tërësi, është bërë luftë e pastër”, theksoi Berisha.

Berisha tha se themelimi i Gjykatës Speciale është mbështetur jo për të vepruar në mënyrë selektive e në bazë të argumenteve dhe shpifjeve të Serbisë.

“Domosdoshmërish është imponua kjo dhe pa asnjë hezitim më të voglin duke filluar nga presidenti ynë, Hashim Thaçi e kanë pranuar këtë gjykatë, e kanë miratuar që të veprojë drejtë jo në mënyrë selektive dhe me argumente e shpifje të montuara dhe fabrikuara nga Serbia, Rusia dhe njerëzit destruktiv që ende shohin sytë nga Serbia”, theksoi ai.

Top Channel