Infektohen me covid-19 disa punonjës/ Pezullohet puna në Gjykatën e Apelit të Durrësit dhe Gjykatën e Kavajës

07/07/2020 12:10

Pezullohet veprimtaria e gjykatës së Apelit Durrës për shkak të Covid-19. Infektimi i disa punonjësve të gjykatës ka detyruar në daljen e një urdhri për pezullimin dyjavor të punës në Apelin e Durrësit që pas tërmetit është zhvendosur pranë godinës së Gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë.

Ndërkohë godina i është nënshtruar dizinfektimit. Testi i tamponëve po kryhet dhe në Gjykatën e shkallës së parë Kavajë, ku gjithashtu është pezulluar aktiviteti në pritje të përgjigjeve. Burimet nga Apeli i Durrësit bënë të ditur se do të vijojë puna vetëm për çështje të ngutshme, siç janë masat e sigurisë, nga gjyqtarë dhe personel i painfektuar me SARS-CoV-2.

Në një njoftim të sajin edhe gjykata e shkallës së parë Kavajë ka njoftuar se për shkak të karantinimit të detyruar nuk do te zhvillohen çështjet e planifikuara, por vetëm ato urgjente, konkretisht masat e sigurimit persona.

Kujtojmë se ditën e sotme në të gjithë vendin tonë u shënuan 2 humbje jete dhe 74 raste të reja. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 37 raste në Tiranë, 10 në Durrës, 5 në Shkodër, nga 3 raste në Korçë, Kavajë, nga 2 raste në Fier, Lushnje, Mirditë, dhe nga 1 rast përkatësisht në Elbasan, Pukë, Berat, Kamëz, Gjirokastës, Pogradec, Sarandë, Vau i Dejës, Dibër, Malësi e Madhe.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 42 qytetarë, duke e çuar në 1744 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Top Channel