​VV-ja reagon pas heqjes së reciprocitetit: Tradhtia s’ka brirë!

06/06/2020 17:23

Lëvizja Vetëvendosje, po e konsideron tradhti ndaj Kosovës heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë nga ana e qeverisë Hoti.

Për këtë veprim Vetëvendosje ka akuzuar të gjitha partitë politike dhe presidentin Thaci.

Me heqjen e reciprocitetit Vetëvendosje po mendon se është ka hequr dorë prej emrit të saj “Republika e Kosovës”, dhe ka pranuar si të vlefshme dokumentacionet ku e quajnë “Kosovo i Metohija”.

Ky është reagimi i plotë i VV-së:

𝐓𝐫𝐚𝐝𝐡𝐭𝐢𝐚 𝐬’𝐤𝐚 𝐛𝐫𝐢𝐫𝐞̈

Qeveria Hoti, në të cilën nuk bën pjesë asnjë udhëheqës politik, por e sponsorizuar në prapaskenë prej Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit dhe e mbështetur qyqarisht prej Isa Mustafës, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt, shfuqizoi sot reciprocitetin.

Tash e tutje Kosova e sunduar nga klika e mësipërme dhe nga qeveria kukull, ka hequr dorë prej emrit të saj “Republika e Kosovës”, dhe ka pranuar si të vlefshme dokumentacionet ku e quajnë “Kosovo i Metohija”. Ky skandal vetëdhunues u përshëndet menjëherë nga Vuçiqi. Veseli e të tjerët iu nënshtruan Hotit, shërbëtorit të radhës të çiftit Vuçiq-Thaçi. Arsyeja pse u përshëndet: sepse siç kishte deklaruar vetë Vuçiqi, reciprociteti po i kushtonte Serbisë miliona euro në ditë, para të cilat mbeteshin në Kosovë dhe ndihmonin biznesin tonë vendor.

Edhe pse Vuçiqi në bisedë me kancelaren Merkel ishte deklaruar i gatshëm ta vazhdonte dialogun edhe me reciprocitet, gjë e cila do të duhej të kapitalizohej menjëherë nga çdo politikan shqiptar, pushtetarët e vjetër e hoqën reciprocitetin. Edhe pse kamionat e ardhur nga Serbia nisën të respektonin rregullat e reciprocitetit dhe të përdornin dokumenta me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, humbësit e zgjedhjeve e hoqën reciprocitetin.

Kosova për ta është si një pasuri e gjetur, të cilën mund ta shpenzojnë e ta bëjnë rrush e kumbulla, për qejfet e tyre të pangopshme, apo për të paguar avokatët që i mbrojnë prej të shkuarës së errët. Ata nuk e shohin Kosovën as si toka e trashëguar gjysh-stërgjyshi, vaditur me gjakun, djersën e lotët e paraardhësve tanë, e as si hapësirën jetike ku do t’u mundësohet frymëmarrja fëmijëve, nipave e stërnipave tanë. Klika e udhëheqësve të LDK, PDK, AAK, Nisma-s dhe tarafeve të tyre, nuk njohin detyrë historike. Ata i ofrojnë si të ardhme njerëzve mërgimin, e si të tashme shkatërrimin e sovranitetit, dinjitetit, reciprocitetit, drejtësisë dhe zhvillimit.

Por pakënaqësia e mospajtimi qytetar me këto vendime e me këtë qeveri, janë më të larta se kurrë. Thaçi mund të planifikojë që me një qeveri marionetash të bëhet president i fortë si Vuçiqi, por autokrati ynë, ndryshe nga autokrati serb, nuk gëzon asnjë grimë legjitimiteti demokratik. Thaçi dhe partitë e tij nuk i fitojnë zgjedhjet, populli u ka dalë kundër. Asnjë marrëveshje e asnjë vendim nuk do të mund të vihet në zbatim në këtë krizë legjitimiteti demokratik e politik, sepse shumica dërrmuese mbështet Vetëvendosjen, për reciprocitet e kundër copëtimit të vendit. Ata e hoqën reciprocitetin për të lidhur marrëveshjen e ligë, por kudo në botë, atyre që mendojnë se mund të merren vesh e të sundojnë pa popull, u del shpejt afati.

Top Channel