​Polonia ndihmon Kosovën në ‘luftën’ ndaj pandemisë COVID-19

22/05/2020 19:56

Në kuadër të reagimit të aleatëve të NATO-s ndaj pandemisë COVID-19, sot kontingjenti ushtarak i Polonisë në kuadër të KFOR-it iu ka shpërndarë institucioneve të shëndetit në Kosovë pajisje higjienike dhe për mbrojtje personale.

Dërgesa është pjesë e donacionit nga zyra e presidentit të Polonisë dhe përfshin 50.000 maska për fytyrë dhe 1000 litra dezinfektues, të cilat u bartën më 18 maj me aeroplanin ushtarak C-295M Casa të Forcave ajrore polake.

Ushtarët e Brigadës së 25-të të kalorësisë ajrore së ushtrisë polake, pjesë e komandës rajonale-lindje të KFOR-it, vazhdimisht mbajtën lidhje me QSKUK dhe me Qendrën e Mjekësisë në Shtërpce për ta mundësuar këtë dërgesë.

Të dy përfituesit luajnë rol të rëndësishëm duke ofruar kujdes shëndetësor.

E para është institucioni kryesor në Kosovë, gjersa e dyta iu ofron ndihmë mjekësore pothuajse 14.000 qytetarë të komuniteteve serbe dhe shqiptare dhe ka pasur bashkëpunim të gjatë me ekipin polak ndërlidhës dhe monitorues të vendosur atje.

KFOR-i ka ofruar mbështetje logjistike për shkarkimin dhe shpërndarjen e dërgesës së dhuruar.

Top Channel