Top Media përkujtoi në një festë madhështore deri në orët e para të mëngjesit, ditëlindjen e themeluesit, Dritan Hoxha, dhe nisjen e sezonit të ri televiziv.
16 tetori është festa tradicionale e Top Channel-it, duke u bërë më e madhe dhe më e bukur nga viti në vit. Në krah të studios më të re Nova, dhe pishinës që së shpejti do të jetë pjesë e shtëpisë së Big Brother, me një skenografi chic dhe të kuruar me elegancë familja Top Media e gëzoi këtë natë.
“Isli me Orin kishin të drejtë. Nga këtu ngjani shumë shumë bukur, jo se nuk jeni. Por ngjani vërtet yje, yje, yje. Sot është 16 tetor, siç e dini të gjithë është data e lindjes së Tanit. Tani këtë ditë e zgjodhi si datë për lindjen e Top Channel. Jam e sigurt, që Redia nga cepi aty me kritikon pafundësisht për emocionet; Mami nuk u mësove asnjëherë të flasësh para mikrofonit, por unë nuk kam lindur të flas para mikrofonit. Kam lindur të të rri pranë jush, me secilin prej jush. Nuk e dua këtë rol këtu ku jam, dua të jem me ju, ta prek çdo gjë me ju. Kjo jam unë dhe nuk ndryshoj as sot që jam bërë gjyshe me dy nipër. Do ta them, sepse po vdes për ata dy nipër. Edhe në vitet në vazhdim dashtë Zoti na le sa më gjatë, si mua dhe juve bashkë. Nisa të thoja që Tani e la këtë datë si ditë feste për lindjen e Top Channel. E kishte menduar që kjo datë, edhe me ikjen e tij, do të ishte ditë feste. Prandaj unë dua që kjo ditë të jetë e juaja, të jetë e Top Channel, të jetë e të gjithëve. Top Channel është më i miri, dhe i vetmi, këtu dhe kudo ku ka shqiptarë, sepse bëhet nga më të mirët, dhe ju jeni më të mirët e të gjithëve”, u shpreh Vjollca Hoxha, Presidente e Top Media-s.
Edhe njëherë presidentja Vjollca Hoxha e cilësoi 16 tetorin si ditën e festës për të gjithë, lënë trashëgimi nga Tani.
“Të nderuarit e mi, të gjithë. Nga Top Channel, DigitAlb, Lori Caffe, Top Albania Radio, Top Gold, për mua jeni dhe do të ngeleni më të mirët. Prandaj unë dua që secili nga ju të gëzojë, ashtu siç Top Media di të bëjë festa, di të gëzojë. Kjo ditë është nga sot e juaja. 16 tetori është dita e festës për Top Channel, për të gjithë. Gëzoni njerëz, sepse këtë datë e la Tani për të festuar. Festojmë të gjithë ashtu sic dimë vetëm ne të festojmë. Secilit prej jush Gezuar! Kalofshi një natë sa më të mirë!” tha Vjollca Hoxha.
Pas festës së madhe, kjo është edhe një datë që Top Channel tregon synimet për të ardhmen dhe përqëndrohet te një sezon i ri. Me prodhime të reja e tradicionale, me ambicien për të qenë ashtu siç kemi qenë deri më sot. Të parët!
Jetona Koçibelli
Top Channel