Berisha flet, por s’dëgjohet. “Epoka” Ruçi: Fole 20 minuta

12/09/2017 00:00

Dy herë kryeministër, një herë në krye të opozitës në Parlament, prej 12 vitesh një gjë nuk kishte ndryshuar në jetën politike të Sali Berishës. Prej vitit 2005 e deri pak muaj më parë, ai ishte “mbreti” i foltores së Kuvendit.

Por të martën, edhe ky mbretërim i politikanit të vjetër demokrat u duk se shkoi drejt fundit.

Sali Berisha: Politika juaj e jashtme është një sallatë maqedonase…

Gramoz Ruçi: Koha mbaroi zoti Berisha, faleminderit. Ulu! Jo s’ka më asnjë sekondë për askënd.

Tre vite më parë, Gramoz Ruçi si kreu i deputetëve socialistë u ankua për këtë te kryetari i asaj kohe i Parlamentit, Ilir Meta.

“Kreu i ekzekutivit shqiptar dhe kryetari i mazhorancës, zoti Rama ka folur vetëm 5 orë e 23 minuta, ndërsa kreu ‘de facto’ i opozitës shqiptare, Sali Berisha ka folur 12 orë e 46 minuta”, shprehej Ruçi në vitin 2014.

Tre vite më vonë, tashmë në kolltukun e Metës dhe me timonin e Parlamentit në duar, Gramoz Ruçi vendosi që ankesën e vet të dikurshme ta zgjidhë po vet.

Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, ulu e mos e tepro tani, as në planin etik, as politik e as procedurial. Ulu të lutem!

Demokratët kundërshtuan dhe kërkuan vijimin e fjalës së Berishës, por tashmë kohërat kanë ndryshuar. Berisha, këtej e tutje do ta ketë mikrofonin vetëm për 20 minuta. Sigurisht, ai mund të flasë edhe më gjatë. Por tashmë nuk do ta dëgjojë askush. Ilir Meta është në presidencë, karrigen e tij, ashtu si edhe timonin, e ka një parti tjetër.

Ndiqni më shumë nga fjala e Berishës në Kuvend

Berisha-Ramës: Përdor krimin për qëllimet e tua

Në seancën parlamentare të kësaj të marte, ish-kryeministri Berisha ka përsëritur akuzat ndaj pasardhësit të tij sa i takon kultivimit të drogës.

Në fillim të fjalës së tij, Berisha i ka bërë Ramës një ftesë aspak të zakontë. “Hajde të shkojmë të bëjmë bashkë testin e drogës, ku të duash”, ka thënë Berisha, i cili më pas ka vijuar akuzat.

“E mbushe Shqipërinë me drogë. Opozita, ose duhej të pajtohej me këtë, ose duhet të ndiqte kushtetutën morale dhe qëndroi kundër. E denoncoi kudo. Edhe tani janë tonelata drogë që presin të shiten. Qeveria jote është qeveria e drogës dhe kushtetuta morale nuk e pranon atë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, lidhjet me botën e krimit për kryeministrin Rama kanë qenë një domosdoshmëri për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve.

“Që një kryeministër të shtrijë influencën e tij përtej ligjit instrumenti i duhur është krimineli. Ata marrin përsipër të vrasin. Zotërisë i duhet krimi për t’i thënë kryetarit të opozitës ‘e nxorre kokën në dritare…’. I duhet për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve, për ta përdorur si hanxhar kundër mediave. A mund të jetë kjo një shumicë e kushtetutës morale? Jo, kurrën e kurrës”, ka thënë Berisha.

Kur ka përfunduar koha, ish-kryeministri është përpjekur të vazhdojë përtej minutazhit të tij, por kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka bërë që ai të ulet në vend.

“Zoti Berisha, koha mbaroi. Ju lutem uluni në vend dhe mos më detyroni të marr masa disiplinore e proceduriale”, ka thënë Ruçi që ka shpërfillur insistimin e deputetëve demokratë. Në këto kushte, Berisha është kthyer në ulësen e tij.

Top Channel