Mos e ndiqni lumturinë!

14/01/2017 00:00

Duke filluar që nga puna e ëndrrave deri te lidhja perfekte, ne jemi të fiksuar për të arritur lumturinë. Por  sipas biologjisë tonë ky kërkim është i kotë.

Pavarësisht sa shumë përpiqemi për të ruajtur ndjesinë e kënaqësisë, trupi ynë na pengon, thotë Dr. Helen Driscoll, Pedagoge Psikologjie në Universitetin e Sunderland.

Kjo ndodh sepse qeniet njerëzore kanë një “pikë të caktuar” lumturie.

Nuk ka rëndësi nëse blejmë një makinë të re apo bëjmë bamirësi, gjendja jonë shpirtërore do të përshtatet në mënyrë që ne të mos jemi më shumë ose më pak të lumtur se më parë. Në fakt, ne duhet të përjetojmë lloje të ndryshme emocionesh për të qëndruar të motivuar e për të ecur përpara në jetë.

Një studim mbi lumturinë tregoi se ata që fitojnë lotarinë nuk janë më të prirur të jenë më të lumtur e të kënaqur për një kohë të gjatë se sa ata që janë përballur me një fatkeqësi.

“Lumturia mund të jetë e vështirë për t’u fituar, por edhe më e vështirë për t’u ruajtur,” shpjegon Dr.Driscoll.

“Imagjinoni një botë ku të gjithë do ishin tërësisht të lumtur gjatë gjithë kohës. Çfarë do të ndodhte? A do të kishim dëshirë të përparonim, të arrinim gjëra, të kërkonim partner të  rinj apo të kishim fëmijë? Nëse do të ishim komplet të lumtur, pse do t’i bënim këto gjëra? Ky është problemi,” vazhdon ajo.

Sipas saj, lumturia ka më shumë vlerë për ne kur është e vështirë për t’u arrirë duke “na shtyrë për ta kërkuar e për ta mbajtur”.

Top Channel