Votime në komunën Kaçanik

18/06/2012 00:00

Qytetarët e Komunës së Kaçanikut votuan këtë të dielë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune.

Ndonëse mandati i kryetarit të ri do të jetë vetëm një vjet, kjo nuk i rezervon qytetarët në kërkesat që sipas tyre duhen përmbushur brenda këtij mandati. Argjenda Axhomi sapo ka mbushur 18 vjeç dhe voton për herë të parë. Ajo shpreson se udhëheqja e re komunale do të krijojë një ambient me më shumë përspektivë për të rinjtë.
 
Të drejtën për të votuar nuk e humbi as një çift bashkëshortor i sapomartuar nga fshati Biçec. Kjo pavarësisht faktit se ky fshat konsiderohet zonë e nxehtë në të cilën jo rallë herë shkaktohen incidente nga militantët e subjekteve poilitike.

Selvetja dhe  Ujmiri braktisën për pak minuta ceremoninë e dasmës në mënyrë që Selvetja të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar në fshatin e lindjes.  
 
Këtë atmosferë si dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor e rrezikojnë grupe militantësh të cilët vazhdimisht qëndrojnë pranë qendrës së votimit ku nuk mungojnë edhe incidentet mes tyre. Policia thotë se bëhet fjalë për militantë nga PDK-ja dhe AAK-ja.
 
Për parregullsitë në këtë qendër raportoi edhe Demokracia në Veprim e cila ka monitoruar  procesin zgjedhor.
 
“Janë fotokopjuar listat e votuesve në disa qendra votimi”, është shprehur Besnik Ramadanaj.
 
Për qytetarët e tjerë e rëndësishme është që kryetari i ardhshëm ti plotësojë premtimet e fushatës parazgjedhore
 
“Pres zhvillim ekonomik dhe të ardhme më të mirë për fëmijët”, thekson një votuese.
 
Pavarësisht se menaxherët e qendrave të votimit kryesisht flasin për një proces të rregullt zgjedhor, partitë politike gjatë gjithë diës raportuan për parregullsitë të cilat karakterizuan ditën e votimeve në Kaçanik. Kështu Lëvizja Vetëvendosje raportoi për përmbajtjen e një mesazhi telefonik të cilin sipas tyre e ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës nëprmjet të cilit u bëhet thirrje qytearëve që të votojnë vetëm PDK-në. Një gjë e tillë sipas Vetëvendosjes është në kundërshtim em ligjin për zgjedhjet dhe kodin e mirësjelljes.

Sipas KQZ-së, deri në orën 15:00 kanë votuar 22.7 përqind e votuesve me të drejtë vote. Në 16 qendra votimi me 42 vendvotime sipas listave të KQZ-së kanë pasur të drejtë vote gjithsej 31 mijë e 473 qytetarë të Kaçanikut.

Këto zgjedhje erdhën pasi Xhabir Zharku në pozitën e kryetarit u dënua me 3 vjet burg nga një panel i gjykatës të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për veprën penale të detyrimit.
 

Top Channel