“Mbroni familjet tuaja në Veri”

10/04/2012 00:00

Të zhgënjyer me situatën e sigurisë në veriun e Mitrovicës, shqiptarët kërkojnë ndihmën e shtetit për t’u mbrojtur. Gjatë ditës së martë ata zbritën në jug dhe i kërkuan mbrojtje kryetarit të Komunës së Mitrovicës.

Pas takimit me banorët kryetari i komunës së Mitrovicës zhvilloi një takim me banorët e lagjes së Boshnjakëve dhe gjatë kësaj vizite ai porositi banorët që tani e tutje secili me forcat vetjake të mbrojnë familjet e tyre.

“Secili shqiptar ta mbrojë familjen e vet. Kjo nuk do të thotë që policia nuk do të ofrojë siguri mirëpo them që secili shqiptar i veriut, që sheh ndonjë rrezik të mbrohet në formë vetjake”, deklaroi  Avni Kastrati, Kryetar i Komunës së Mitrovicës.

Teksa kryetari thotë që shqiptarët tani e tutje duhet të vetëmbrohen nga serbët e veriut, banorët shqiptarë ankohen se Policia e Kosovës po iu konfiskon edhe ato pak armë me të cilat ndihen më të sigurtë.

Të hënën serbët e veriut shkatërruan pikën statike të Policisë së Kosovës. Pas tentativave të dështuara të Policisë së Kosovës për t’u vendosur në veri, shumë banorë janë parë me valixhe duke u larguar nga shtëpitë e tyre për të gjetur një strehë më të sigurtë.

Top Channel