Nigeri, vritet “truri” i pengmarrësve

15/03/2012 00:00

Personi që dyshohet se planifikoi pengmarrjen e shtetasit britanik dhe atij italian në Nigeri ka vdekur, ka bërë të ditur policia sekrete e vendit afrikan.

Shërbimi Shtetëror i Sigurisë deklaroi se Abu Mohammed ka vdekur pasi mbeti i plagosur në një shkëmbim zjarri gjatë operacionit për kapjen e tij.

Militantët islamikë rrëmbyen Chris McManus dhe Franco Lamolinara në maj të vitit të kaluar, në një lokalitet në veri-perëndim të Nigerisë.

Dy inxhinierët humbën jetën kur forcat speciale britanike dhe ato nigeriane u përpoqën t’i lironin ata javën e kaluar.

Pesë personat e arrestuar bashkë me Abu Mohammed u paraqitën nën kontrollin e forcave të sigurisë përpara gazetarëve, në një konferencë për shtyp.

Korrespondenti i BBC, Muhammed Abba, që ishte i pranishëm në konferencë, deklaroi se ata kishin fytyra të enjtura.

McManus dhe Lamolinara u vranë nga pengmarrësit para se të mund të shpëtoheshin nga forcat speciale britanike dhe ato nigeriane të enjten e kaluar.

Zyrtarë të shërbimeve sekrete nigeriane deklaruan se operacioni u ndërmor pas arratisjes së një militanti islamik gjatë një operacioni të mërkurën e kaluar.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm britanik, William Hague do të zhvillojë një vizitë në Itali më 22 mars, për të “qetësuar ujërat” pas vrasjes së dy pengjeve në Nigeri.

Top Channel