Rikthehet “Champions”

22/11/2011 00:00

Roberto Mancini ka përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme skuadrën e tij, Manchester City, e cila do të provojë të jetë e para nga klubet europiane që fiton një ndeshje të tillë në San Paolo përball Napolit në këto 17 vitet e fundit.

Një fitore e kualifikon Manchester Cityn në fazën tjetër të 16-shes së Champions League. Skuadra angleze është në një formë shumë të mirë pasi ka fituar 11 nga 12 ndeshjet e fundit në kampionat e ka shënuar 42 gola.

Gjithsesi Mancini është i vetëdijshëm që të luash me Napolin në fushën e tyre është krejtësisht ndryshe nga Premier League. Nga ana tjetër skuadra e Mazzarit nuk duket aspak e trembur nga forma e mirë e City-t.

Një fitore e Napolit i mban shpresat ende gjallë për kualifikim për në fazën tjetër, pasi ndodhet në kuotën e 5 pikëve, 2 më pak se Manchester City i vendit të dytë.

Ndërkohë që Bajerni i Mynihut përballë Vilarealit mund të sigurojë kualifikimin pasi kryeson grupin me 10 pikë e luan sot në Allianz Arena.

Sot në mbrëmje edhe Reali i Madridit do të zhvillojë një ndeshje e cila duket formale në pamje të parë përball Dinamos së Zagrebit në Madrid.

Madrilenët e kanë siguruar kualifikimin për më tej pasi kryesojnë grupin D me 12 pikë ndërkohë që Dinamo ndodhet në vendin e fundit me 0 pikë.

Pavarësisht kësaj skuadra e Mourinjos ka fituar 11 ndeshje radhazi në të gjitha veprimtaritë e nuk ka ndërmend të prishë këtë vazhdimësi në mbrëmjen e sotme.

Më e fortë është lufta në grupin C ku Manchester United do të përballet me Benfikën, skuadrën që ndan kreun e këtij grupi me nga 8 pikë.

Skuadra e Sër Ferguson e ka përmirësuar ndjeshëm lojën e saj e ka arritur që në pesë ndeshjet e fundit nuk ka pësuar gol, gjithsesi, një fitore në mbrëmjen e sotme do të thotë kualifikim për secilën nga këto skuadra.

Në grupi B, sfida më interesante duket se është ajo mes Trabzonsporti dhe Interit që do të luhet në Turqi. Zikaltërve u mjafton një barazim për të siguruar kualifikimin, ndërkohë që turqit do të përpiqen t’u rrëmbejnë tri pikët, ashtu sic bënë në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve në San Siro.

Më herët luan edhe CSKA e Moskës me Lille, një ndeshje që do përcaktojë fatet e dy skuadrave.

Top Channel