Çudit Alonso: Ky, sezoni im më i mirë

11/11/2011 10:40

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, në prag të garës së fundit të sezonit në Abu Dabi, shprehu bindjen e tij se shumë shpejt do të jetë në gjendje të luftojë për titullin kampion, i cili i mungon prej katër vitesh.

Duke folur të premten për mediat spanjolle, Alonso i rikthehet garës së sezonit të shkuar në Emiratet e Bashkuara, vendin ku humbi titullin për një pikë. “Nuk do të thoja që kam kujtime të këqija nga “Yas Marina”. Një vit më parë, problemi ishte që mbërrita në këtë pistë jo me diferencën që duhet të kisha. Në Valencia dhe Silverston meritoja në secilën garë nga 30 pikë dhe kjo do ta kishte mbyllur Botërorin. Nuk arrita të fitoja asnjë dhe kjo e bëri diferencën”.

Në sezonin aktual, kampioni i dyfishtë pranon se pothuajse nuk e mendoi asnjëherë titullin. “Diferenca me Vettel rritej garë pas gare dhe ndonëse kisha shpresë tek zhvillimet e Ferrarit, që në Belgjikë apo në Monza e kuptova se do të ishte e pamundur të luftoja për titullin. Në nivelin e pilotimit, ky është sezoni më i mirë i karrierës sime, por askush nuk do ta vlerësojë, pasi nuk arritëm të fitonim asgjë”.

Alonso, pasi e konsideroi veten si “pilotin më të mirë” në qarkullim, u ndal tek projektet e të ardhmes. “Jam në një ekip që e ëndërrojnë të gjithë dhe kam përvojën e shumë viteve garim. Mendoj se jam në një pozitë të shkëlqyer dhe jam i bindur që shumë shpejt do të rikthehem të festoj tituj të ri”.

Top Channel