Pack: Jo “Ahtisari Plus” për veriun

01/11/2011 23:00

Deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pack shprehet kundër planit “Ahtisari Plus’ në veri të Kosovës, ndërsa kritikon Serbinë për qasjen ndaj realitetit të ri pas shpalljes së pavarësisë.

Ajo të martën vizitoi Prishtinën, ku gjatë një ligjerate në shkollën politike të Prishtinës, ajo duke iu referuar Serbisë tha se në BE nuk pranohen shtete të cilat kanë probleme të brendshme.

“Serbia nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kërkesat kryesore për anëtarësim në BE, nëse çështja e Kosovës mbetet e pazgjidhur dhe mosgatishmëria për bashkëpunim me fqinjët e saj është problem për stabilitetin e Ballkanit. Por, disa njerëz më kujtojnë se BE-ja ka pranuar Qipron, por, ne kemi bërë këtë dhe ka qenë presioni i Greqisë, sepse Greqia ka thënë se nëse nuk e pranoni Qipron, ne nuk do të pranojmë procesin e zgjerimit”,  tha deputetja e PE, Doris Pack.
 
Sa për veriun, deputetja e Parlamentit Europian tha se është gabim që serbët nuk njohin realitetin e ri në Kosovë. Ajo shtoi se është dëshpëruese se si njerëzit jetojnë në mesin e barrikadave prej disa metrash të izoluar në veri të Kosovës.
 
“Ne nuk kemi nevojë për një pako plus, sepse pakoja e Ahtisarit po funksionon dhe mund të funksionon edhe në veri”, shtoi Pack.

“Dialogu duhet të zbatohet, ndërsa kjo nuk është bërë. Gjithçka që është arritur marrëveshje në këtë dialog është për tregti të lirë, lëvizje të lirë, për mirëqenie për të dyja palët, kështu që nuk mund të kuptoj që kjo nuk është kuptuar nga ata”, vazhdoi eurodeputetja Pack.

Zonja Doris Pak ka qëndruar gjatë ditës së martë në Prishtinë, ku përveç ligjëratave dhe takimeve me drejtues të shtetit të Kosovës ka vizituar edhe urën kryesore në lumin Ibër në Mitrovicë.

Top Channel