Kuçi: Nuk lutemi për dialog

29/10/2011 00:00

Kosova ka vullnet, por nuk i lutet Serbise per të vazhduar dialogun.
Keshtu deklaroi të premten zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Kuçi tha se Prishtina zyrtare ka hyrë në këtë dialog duke respektuar kërkesat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nuk është ajo palë që i bën lutje Serbisë që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve.

Këto komente, Kuçi i bëri pas paralajmërimeve për thirrjen e takimit të radhës diku nga mesi i nëntorit. Pala kosovare ka shprehur gatishmëri të jetë e pranishme, përderisa Beogradi nuk ka një pozicion të qartë.

“Kemi vullnet për dialog me Serbinë, por nuk jemi ata që u themi ju lutem a po vini sot, a po vini nesër. Ky është qëndrimi zyrtar i Qeverisë. Çështja e dytë, ne kemi bërë dialog me lehtësimin e BE-së dhe SHBA-ve, dhe ata janë garantues të çdo marrëveshjeje eventuale të arritur dhe mbi bazën e saj ne do të kërkojmë nga ta një lloj përgjegjësie për zbatim. Dhe, e treta është që Kosova i ka pranuar ato marrëveshje dhe ka filluar zbatimin e plotë”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic tha për Radion Evropa e Lirë, se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të ndodhë vetëm atëherë kur të dyja palët dakordohen.

”Për ne, një kategorizim i tillë është artificial, që përdoret për nevoja të brendshme të politikës në Prishtinë”, tha Stefanovic për Radion Evropa e Lirë.

Pala serbe në vazhdimësi kishte insistuar që temë e dialogut të jenë edhe pikat doganore në veri dhe gjendja e krijuar atje, me çka nuk është pajtuar pala kosovare dhe ajo ndërmjetësuese.

Marrëveshjet e arritura, Prishtina zyrtare tha se tashmë ka filluar t’i zbatojë, por ato në tërësi nuk po zbatohen nga Serbia.

Top Channel