Kosovë, Thaci i “dorëzohet” Pacollit

27/04/2011 20:15

Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar një komunikatë nëpërmjet të cilës thotë se është ridizajnuar marrëveshja e koalicionit PDK-AKR.

Burime nga partia AKR bëjnë të ditur për TCH se kryeministri është pajtuar me kërkesat e zotit Pacolli, që të ketë kompetenca shtesë në fushën e diplomacisë dhe sjelljen e investimeve të huaja.

Ndërkohë që në krye të ministrisë më të re që po formohet, asaj të Diasporës, do të jetë Ibrahim Makolli. Sipas deklaratës për shtyp të PDK-së, AKR-së do t’i jepet dhe një tjetër ministri.

Këto zhvillime u bënë publike pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, ku zoti Pacolli mungonte. Ndërkohë, ishte zëvendëskryeministri Hajredin Kuci i cili pas mbledhjes së qeverisë është përpjekur që të sqarojë përbërjen e qeverisë së re, me shumë zëvendëskryeministra.

Në mbledhjen e qeverisë ndërkohë u vendos devijimi i autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë. Qeveria e Kosovës ka vendosur që përfundimisht traseja e autostradës t’u shmanget tuneleve në Qafën e Duhlës dhe të vazhdojë në drejtim të Malishevës.

Kryeministri Thaci tha se buxhetit të kosovës ky devijim i kursen 350 milionë euro. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës po kështu vendosi të ndryshojë projektligjin për të drejtat e komuniteteve, duke definuar kështu kroatët dhe malazezët si grupe etnike që kanë jetuar në Kosovë në mënyrë permanente.

Top Channel