Heronjtë apo “pensionistët” e Fukushimës?

04/04/2011 20:35

Janë quajtur “heronjtë e Fukushimës” apo “samurajët nuklearë”, por cili është realisht identiteti i personave që po rrezikojnë jetën në centralin e dëmtuar bërthamor në Japoni dhe janë ata 50 apo 500?.

Numri i tyre është ende i paqartë. Midis mediave, është gjendur numri 50, por edhe afër 600. Burimi më i besueshëm duket se është ai i 180 punëtorëve, të cilët punojnë me turne dhe zëvendësojnë njëri-tjetrin në grupe prej 50 vetash.

Identiteti i këtyre vullnetarëve nuk është bërë i ditur nga autoritete, por duket se bëhet fjalë kryesisht për 50 apo 60-vjeçarë, punonjës në prag të daljes në pension.

Përzgjedhja e tyre nuk ka të bëjë me përvojën e punës, por me dëshirën për t’i kursyer jetën më të rinjve. Nga ana tjetër, në centralin bërthamor kanë të qartë edhe që në rastet e rrezatimeve të vogla, tumoret do të duan kohë që të zhvillohen.

Tek personat pranë pensionit, deri sa ata të shfaqen, ekzistojnë gjithsesi më shumë gjasa që ata të kenë vdekur nga arsye të tjera, ndërsa nëse për këtë punë do të përdoreshin 20-vjeçarë, është pothuajse e sigurt që ata do të sëmureshin me forma kancerogjene gjatë jetës së tyre.

Nuk është as e vërtetë që të gjithë punonjësit janë ekspertë të teknologjisë së reaktorëve. Një dokument i publikuar nga e përditshmja britanike “The Guardian”, tregoi dëshminë e familjarëve të një frutashitësi, i cili ishte përzgjedhur për të punuar në Fukushimë, pasi ishte paraqitur si vullnetar.

Një skandal i fundit lidhet me kompaninë që drejtonte centralin e Fukushimës, Tepco. Sipas një lajmi të pakonfirmuar, ajo priti deri sa gjendja të ishte pranë daljes nga kontrolli, përpara se të reagonte.

Tepco kishte mundësinë e përdorimit të ujit të detit për të ftohur reaktorët që në mëngjesin e të nesërmes së tërmetit shkatërrimtar, por dyshohet se priti deri në mbrëmje, duke tentuar zgjidhje të tjera. Përdorimi i ujit të detit do të shkatërronte përfundimisht investimin e tyre, duke dëmtuar rëndë reaktorët.

Top Channel