“FT”: Zgjedhjet përherë të kontestuara

28/03/2011 21:30

“Financial Times”, gazeta prestigjoze britanike, duke i dedikuar një shkrim Shqipërisë në numrin saj të sotëm, vëren se vendi është në fund të shkallëve që të cojnë drejt Bashkimit Europian për shkak të zgjedhjeve të kaluara pa standarte.

Më poshtë vijon shkrimi i gazetës:

Zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri po marrin formën e një lufte të egër mes demokratëve në pushtet dhe socialistëve në opozitë, aq shumë sa i dërguari i BE është nisur në Tiranë për t’u bërë thirrje politikanëve që të ruajnë qetësinë dhe të sillen me përgjegjësi.

Zinxhiri i dobët elektoral në Shqipëri është arsyeja kryesore përse vendi ka mbetur në fund të shkallëve që të cojnë drejt anëtarësimit në BE.

Mbi 20 vjet pasi doli nga izolimi, Shqipëria nuk ka arritur ende të mbajë zgjedhje të cilësuara të lira dhe të ndershme nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Dhe në vend që të dëgjojë apelin e BE për qetësi, një luftë për bashkinë mbizotëron atmosferën e zymtë në kryeqytetin Tiranë, ku banon pothuajse gjysma e 2 milionë banorëve të Shqipërisë.

Kandidatët për Tiranën u shpallën javën e kaluar. Lulzim Basha, një politikan që është ngjitur shpejt në hierarkinë e politikës dhe deri para pak ditësh ministër i Brendshëm, kundër Edi Ramës, lideri i Partisë Socialiste që kërkon një mandat të katërt si kryebashkiak, duke vendosur kundër dy partitë më të mëdha politike të vendit.

Kryeministri Sali Berisha ka shpallur një paketë masash për qytetarët, që duket se do të shfryjnë buxhetin kombëtar. Ai ka bërë thirrje që të falen të gjitha faturat e papaguara të energjisë, që përbëjnë 1 për qind të GDP-së, si dhe 50 për qind të taksave doganore për makinat e importuara.

Bizneseve do t’u lejohet të shlyejnë taksat duke paguar nga 3 deri në 6 për qind të shumës së kërkuar nga zyra e tatimeve.

Socialistët po vuajnë ende humbjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, me deklarata për manipulime të votave. Basha ka qenë në qendër të kritikave të tyre pasi disa anëtarë të Gardës së Republikës, që drejtohet nga Ministria e Brendshme, vranë 4 protestues në një demonstratë të drejtuar nga PS në janar.

Nga ana e saj, Ministria e Brendshme ka mohuar akuzat se po inkurajon ardhjen e banorëve të rinj në periferitë e Tiranës në prag të zgjedhjeve, që do të regjistrohen menjëherë si votues.

Ndërkohë, Rama po kërkon transparencë për listat e zgjedhësve, skanim elektronik të kartave të identitetit në qendrat zgjedhore dhe të drejtën për rinumërim të votave nëse ka dyshime për manipulime. Ai shpreson gjithashtu në një grumbullim sa më të madh të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Top Channel