Serbi, përçahet koalicini qeverisës

14/02/2011 16:55

Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkovic, deklaroi në një konferencë për shtyp gjatë pasdites se ka nisur procedurat për shkarkimin e zëvendësit të tij.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Mladjan Dinkic, është antar i një partie të rëndësishme në koalicionin qeverisës dhe vendimi i pritshëm për largimin e saj nga koalicioni mund të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Lëvizja erdhi pasi Dinkic akuzoi publikisht qeverinë serbe se nuk po bën mjaftueshëm për të shpëtuar vendin nga kriza e thellë ekonomike në Ballkan.

Inflacioni i lartë dhe rënia e ndjeshme e nivelit të jetesës provokuan një protestë masive javën e shkuar, në kryeqytetin Beograd.

Nëse partia G-17 e Zëvendëskryeministit Dinkic do të reagojë duke u tërhequr nga koalicioni, zgjedhjet e parakohshme do të shpallen, pasi qeveria e Cvetkovic-it nuk do të zotërojë më shumicën në parlament.

”Këtë mëngjes, informova presidentin Boris Tadic, se qeveria nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë dhe ata që kërcënojnë unitetin e saj, duhet të zëvendësohen”, informoi Kryeministit gjatë konferencës për shtyp të pasdites.

Më tej, Cvetkovic akuzoi zëvendësin e tij se po përdor postin qeveritar, për të bërë karrierë dhe përfitime personale. Megjithatë, Kryeministri theksoi se ministrat e tjerë të partisë G-17 nuk duan që qeveria të rrëzohet.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi janë në plan për t’u zhvilluar në vitin 2012.

Top Channel