Qendrat shëndetësore, ende me “pushime”

20/08/2010 08:45

Pacientë të shumtë në Fier shprehen të pakënaqur lidhur me shërbimin që u ofrojnë qendrat shëndetësore pranë zonave ku ata jetojnë, si dhe te poliklinika kryesore e qytetit.

Sipas pacientëve mësohet se në këtë periudhë mungojnë një numër i konsiderueshëm mjekësh të specialiteteve të ndryshme. Kjo ka sjellë edhe sorollatjen e tyre.

Mungesa e mjekëve, si dhe sezoni i “vakumeve” për shkak të pushimeve të verës kanë shqetësuar pacientët në Fier, të cilët duhet të bëjnë ecejake dhe të presin në dyert e spitaleve dhe të poliklinikës qendrore. Më shumë problem paraqitet për pacientët që vijnë nga zonat rurale e periferike të Fierit. Atyre u duhet të udhëtojnë e të përsërisin udhëtimet e tyre vetëm për t’u vizituar ose për t’u trajtuar në shërbimet shëndetësore të Fierit.

Sipas dhjetëra qytetarëve që kërkojnë të kryejnë vizita apo të marrin konsulencë mjekësore, ditët e fundit është bërë tepër e vështirë gjetja e mjekëve të specializuar për sëmundje të veçanta, si dhe e mjekëve që shërbejnë në qendrat shëndetësore të fshatrave dhe lagjeve. “Po shkojmë nga qendra e lagjes tek poliklinika dhe së fundi sot në spital, pasi i gjej të mbyllura të gjitha. Kemi ditë të tëra kështu pa shërbimin e duhur”, ka thënë Azbiu, një i moshuar rreth të 70-ave.

“Qendra shëndetësore e fshatit tim ka ditë që nuk është hapur. Prita javën e shkuar, por nuk erdhi asnjë mjek. U detyrova që këtë javë të vij dy herë këtu në Fier. Nuk kam asnjë zgjidhje tjetër”, ka thënë Avniu, banor i Bishanit. Edhe Teuta, banore fshatit Petovë në Fier, shpreh të njëjtin shqetësim, atë të mosgjetjes hapur të qendrave shëndetësore në këto ditë vere.

Qendra shëndetësore që janë me pushime numërohen me dhjetëra si në fshatra, edhe në qytet. Justifikimi i vetëm zyrtar që vjen për “drynosjen” e përkohshme të qendrave shëndetësore është ai i pushimeve të mjekëve, situatë të cilën autoritetet nuk e kanë marrë parasysh.

Top Channel