Çaushi: Presim vizitën e Tadiç në Tiranë

03/08/2010 11:40

Tirana zyrtare pret vizitën e presidentit serb Boris Tadic në Shqipëri, duke qenë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Sipas ambasadorit shqiptar në Beograd, Shpëtim Caushi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë shembull për vendet e tjera të rajonit.

“Me kënaqësi konstatojmë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë aktualisht përbëjnë një shembull, që ndikon në të gjithë rajonin tonë”, ka deklaruar Caushi.

Sipas tij, është rritur ndjeshëm edhe interesi i qytetarëve serbë për të vizituar Shqipërinë, e cila ka hequr regjimin e vizave për ta.

“Dhjetëra e qindra qytetarë të Serbisë kontaktojnë çdo ditë me ambasadën e Shqipërisë në Beograd dhe pyesin për kushtet e udhëtimit në këtë vend. Më vjen mirë që t’ju them se Shqipëria tanimë i ka hequr vizat për shtetasit serbë dhe u bëj thirrje atyre që të shfrytëzojnë rastin dhe të provojnë mikpritjen dhe respektin e shqiptarëve”, ka pohuar Caushi.

Top Channel