“Reuters” dhe mediat botërore për vrasjen

Vrasja e simpatizantit të LSI-së në qytetin e Laçit dhe plagosja e kandidatit të PD-së gjetën jehonë të menjëhershme në shtypin e huaj.

Agjensia e lajmeve Reuters e përcjell informacionin duke kujtuar edhe një herë me sa vëmendje po ndiqen këto votime nga Perëndimi i shqetësuar mbi gjendjen e demokracisë në Shqipërinë anëtare të Nato-s.

E majta po përpiqet t’i mohojë kryeministrit Sali Berisha një mandat të tretë 4-vjeçar radhazi, i paprecendent ky për vendin që prej përmbysjes së regjimit komunist në 1991-n, thekson Reuters.

Por, kërcënimi i një rezultati të diskutueshëm zgjedhor është gjithmonë e më i lartë që prej sherrit politik që e la organin më të lartë elektoral, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me mangësi stafi e të paaftë ta certifikojë rezultatin. Që prej 1991-shit, Shqipëria nuk ka mbajtur kurrë zgjedhje të cilësuara krejtësisht të lira e të ndershme, nënvizohet në artikullin e agjensise prestigjoze të lajmeve dhe një dështim tjetër do të ishte një goditje për ambiciet e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sondazhet e para të opinionit, jo fort të sigurta për Reuters, tregojnë epërsi të liderit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Për Berishën, dominues të jetës politike të vendit që nga rrëzimi i regjimit komunist, humbja në këto zgjedhje do të nënkuptonte për reporterët e huaj edhe fundin e karrierës politike.

Reagimet e tjera – Ndërsa zgjedhjet e përgjithshme në vendin tonë janë në zhvillim, një shumicë mediash të mëdha ndërkombëtare, ashtu si “Reuters”, vendosën në qendër të vëmendjes vrasjen e ndodhur në Laç, edhe më shumë se vetë procesin zgjedhor.

“Washington Post”: Qëllohet kandidati, një tjetër i vrarë në betejë me armë pranë një qendre votimi

“Një kandidat për deputet u qëllua dhe mbështretësi i një partie rivale u vra në një shkëmbim zjarri pranë një qendre votimi, raportoi të dielën policia shqiptare, ndërsa vendi po mban zgjedhjet e përgjithshme, të cilat edhe pa mbaruar votimi janë shënuar nga spekulime për manipul dhe përballje të ashpra që mund të rrezikojnë njohjen e rezultatit. Dikur, një prej vendeve me komunizmin më të ashpër në botë, vendi i varfër europian po përjeton një rrugë të vështirë drejt demokracisë, ndërsa korrupsioni, dhuna dhe fiksimi i votave kanë qenë vazhdimisht një problem për standartin e zgjedhjeve”, shkruante e përditshmja më e madhe amerikane, në një koment mbi zhvillimet në kohë reale në Shqipëri.

“Chicago Tribune”: Vrasja rrit shqetësimin në zgjedhjet shqiptare

Ashtu si “Washington Post”, një tjetër e përditshme amerikane foli me shqetësim për zgjedhjet që po zhvillohen “në një vend anëtar i NATO-s”. “”Një aktivist u vra dhe një politikan u plagos, në një shkëmbim zjarri që ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme shqiptare të së dielës, ku pritet një rezultat shumë i ngushtë mes palëve. Zgjedhjet po ndiqen me vëmendje nga qindra vëzhgues të huaj, të shqetësuar për nivelin e demokracisë në një vend anëtar të NATO-s, ku opozita e majtë kërkon fitoren, që do të pengonte kryeministrin Sali Berisha të fitonte një mandat të tretë të paprecedent, në vendin komunist deri në vitin 1991”.

“Deutsche Welle”: Vrasja rrit frikën për manipulime

Vrasja e zotit Gjoni gjet një raportim të gjerë tek “Deutsche Welle”. “Që prej rrëzimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës në vitin 1990, disa e votimit është karakterizuar nga dhuna dhe fiksimi i njëpasnjshëm i zgjedhjeve në Shqipëri, një prej vendeve më të varfëra të Europës. Vrasja e një komisioneri, në hapjen e votimeve të përgjithshme ditën e dielëm, rrit frikën mbi mundësinë e përsëritjes së këtyre fiksimeve, pas një fushate gjatë së cilës diplomatë të huaj kanë denoncuar shenja të ushtrimit të presionit mbi zgjedhësit për votën e tyre”, shkruante rrjeti gjigant gjerman, i cili gjithashtu nënvizonte se këto zgjedhje konsiderohen një test kyç për të ardhmen europiane të vendit tonë.

“B92”, e përditshme serbe: Zgjedhjet në Shqipëri, vritet komisioneri

“Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të tetat që prej rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, mund të kenë një impakt të madh për aspiratat shqiptare të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, situata mbetet e trazuara, sepse që në orët e para të mëngjesit, me hapjen e kutive, u regjistrua një incident i rëndë ku komisioneri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, një prej partive më të mëdha të vendit, u vra në qytetin e Laçit”, përcillte midis të tjerave, për publikun serb, një prej të përditshmeve më të mëdha të këtij vendi.

Top Channel