Ne nuk meritojmë vetëflijimin e askujt; ne meritojmë Sali Berishën
05/11/2012
Ne nuk meritojmë vetëflijimin e askujt; ne meritojmë Sali Berishën
Mustafa Nano - Nja dy ditë pasi Gjergj Ndreca i vuri flakën vetes, unë fola në telefon me Mero Bazen, e ramë dakord t’u bënim një vizitë ish të përndjekurve në grevë për t’u thënë se “këtë grevë do të ish mirë ta mbyllnin”, se “kjo grevë nuk po gjente mbështetjen e shqiptarëve”, se “kjo grevë nuk po gjente as një minimum mirëkuptimi mes ish të përndjekurve që s’ishin në grevë”, dhe se “prandaj nuk kish kuptim të sakrifikonin më shumë përballë, e për shkak, e për kënaqësinë e bandës në pushtet”.

Atë vizitë nuk e bëmë, pasi pak orë më pas policia bëri rrethimin e grevës dhe nuk lejonte askënd, dhe asgjë, të hynte e të dilte prej territorit të rrethuar.

Të gjithë e dinim se ish kështu. Ajo ish një grevë e izoluar. Shumë vetë kanë fajësuar më pas (edhe këto ditë) gjithë shoqërinë shqiptare që nuk u vu në mbështetje të kësaj greve, por mendoj se nuk kanë plotësisht të drejtë. Shoqëria shqiptare mund të paditet gjithë ditën e ditës për nervin e sqaqur civik të sajin, por ky nuk është rasti më i mirë për ta ilustruar natyrën ngordhalaqe të kësaj shoqërie. Thellë-thellë, motivet e grevës kanë qenë, ose janë bërë, edhe politike (kish kohë që grevistët kishin demonstruar se Berisha e të tijtë ua kishin sjellë në majë të hundës), por ato motive nuk u artikuluan asnjëherë si të tilla, rrjedhimisht nuk ishin gjithëpërfshirëse. Në planin deklarativ, ato motive kishin të bënin me interesin ekonomik të një pjese të shoqërisë. Sigurisht, një shoqëri normale do të duhej t’u ndihej në borxh, a në mirënjohje, ish të përndjekurve, por është ca vonë për të kërkuar solidaritetin e shoqërisë për një kauzë të tillë 22 vjet pas përmbysjes së komunizmit, të cilat janë dhe 22 vjet të një flirti të këtij grupi social me qeveritë e regjimet e Sali Berishës. Në këtë kuptim, nuk ka pse të jetë marrë si befasi solidariteti i munguar me këtë grevë nga ana e shoqërisë në tërësi.

Çfarë të bënte përshtypje në këtë mes ishte solidariteti i munguar i dikujt tjetër, solidariteti i ish të përndjekurve. Dhe në këtë mes, mua personalisht, nuk është se më ka shock-uar solidariteti i munguar me kauzën, pasi pritej të kish të tjerë që të thoshin se “kjo qeveri ka bërë shumë për ish të përndjekurit”, se “nuk është e drejtë të protestohet me mjete të tilla ekstreme”, se “kjo qeveri nuk ka ku t’i gjejë paratë për të dëmshpërblyer ish të përndjekurit në këto kohë krize”, se “ky dëmshpërblim nuk është punë vullneti, por edhe punë ligjesh” etj., etj. Por më ka shock-uar heshtja për ditë të tëra e ish të përndjekurve të tjerë përballë gjuhës rrugaçërore të pushtetit e të Kryeministrit. E më pas më ka shock-uar solidariteti i dy a treve syresh, njerëz publikë, me pretendimet halucinante të Kryeministrit, se “grevistët janë vegla të opozitës, grevistët kanë marrë pará, grevistët janë bixhozçinj, janë pijanecë” etj., etj. Prisja që të ishin ata të parët që do të denonconin këtë gjuhë, por jo, as që bëhej fjalë.

E kështu, kur kauza e grevistëve dukej si një kauzë vetëm e grevistëve, ishte e lehtë të merrje me mend se greva ish e destinuar të dështonte, e prandaj ideja për t’u bërë një vizitë e për t’i këshilluar ta ndërprisnin atë grevë nuk na u duk gjëja e duhur. Por, siç thashë, nuk mundëm ta bënim atë vizitë. Nuk është se më gënjente mendja se “do të mundnim t’i kandisnim ta linin atë grevë”, por ndoshta do të kishim rast t’i ftillonim për faktin që jashtë grevës pakkush jetonte me hallin e tyre. E ky fakt mund të shkurajonte ndonjë ide për vetëflijim. Ky fakt mund të shkurajonte edhe Lirak Bejkon. Ndoshta.

Lirakun nuk e kam njohur. Veç në një rast kam folur në telefon me të, në një nga ditët e grevës, nja dy ditë para se të bënte atë gjest të fortë, si pasojë e të cilit gjeti vdekjen. Unë isha në spital për t’i bërë një vizitë Gjergj Ndrecës, i cili lëngonte në shtrat prej plagëve që kish marrë prej vetëdjegies, dhe aty takova gruan e Lirakut, që përpiqej ta mbante të fortë e ta ngushëllonte gruan e Gjergjit. Kur po dilja, e po u jepja dorën, gruaja e Lirakut më dha telefonin e vet, e më tha se ish Liraku që donte të fliste me mua.

Në terma konkretë, nuk mbaj mend ndonjë gjë kushedi se çfarë nga biseda disa minutëshe me të, por pata një ndjesi e shije të mirë, që më pas e lidha, ndoshta kotmëkot, edhe me një empati e simpati të natyrës ‘tribale’ (ai ish nga Skrapari). Por pasi ai bëri gjestin e vetëdjegies, unë zura t’i bëja një lexim aposteriori bisedës me të, dhe më erdhi inat që nuk mund t’i bëja interpretimin e duhur qysh në momentin e bisedës vendosmërisë së tij, që më pas e çoi drejt aktit që synonte vetëflijimin. M’u duk krejt i pandërdyshur në atë që bënte, madje dhe i bindur se kjo grevë do t’ia arrinte qëllimit. Nuk pati në bisedën tonë asnjë nënvizim të llojit politik, ashtu si nuk pati asnjë pretendim publik të grevistëve për ndonjë natyrë politike të kësaj greve, por motivimi politik, edhe në mos pastë qenë në origjinë të grevës, është përftuar gjatë grevës, pas reagimeve të Kryeministrit tonë rrugaç. Grevistët bënin çmos ta fshihnin këtë motivim, dhe kjo i la pa mbështetje, por personalisht e kam ndier motivimin e fortë politik të grevës. E nuhata këtë dhe tek ajo gjendje vibrante e Lirakut në bisedën që pata me të.

E theksoj këtë, pasi ndryshe nuk mund të kuptohen aktet e vetëflijimit të Gjergjit e të Lirakut. Interesat ekonomike, sado të rëndësishme të jenë, mund të të hedhin në lloj-lloj betejash, por është e zorshme dhe e rrallë që të shërbejnë si një motivim për vetëflijim. Unë vijoj të besoj se Lirak Bejko vdiq për një kauzë politike, s’ka gjë se ai, tok me grevistët e tjerë, nuk e artikuluan kurrë një kauzë të tillë.

Nuk ndiej asnjë lloj ngushëllimi te ky fakt. Përkundrazi, ndihem si në faj, s’ka gjë se e vetmja marrëdhënie e imja e drejtpërdrejtë me Lirakun ish ajo bisedë telefonike, për të cilën sapo fola. Ndihem si në faj, që nuk bëra asgjë për ta lexuar atë gjendje të tijën teksa bisedonim në telefon, që nuk arrita të shihja në atë vendosmëri të tijën për t’i shkuar grevës deri në fund një shenjë paralajmëruese të aktit të vetëdjegies, e që nuk bëra asgjë për t’ia larguar nga koka idenë e vetëflijimit.

Ne shqiptarët – dhe ky është rasti për t’iu kthyer shoqërisë shqiptare e për ta vënë në bankën e akuzës – nuk meritojmë flijimin e askujt për qëllime, e me motivime impersonale. Ne meritojmë, me sa duket, veç banditin që kemi në krye të qeverisë, të cilit edhe në këtë rrethanë nuk iu ndenj pa u bërë i gjallë, e pa thënë se “greva e Lirak Bejkos ishte e paguar, se Liraku ishte zgjedhur për në grevë mbi bazën e kartelës shëndetësore”!!!??? E meritojmë, jo vetëm se nuk jemi në gjendje ta ndalojmë ta bëjë Lirak Bejkon t’i vërë flakën vetes, por nuk jemi në gjendje as ta ndalojmë ta mbyllë gojën e vet të ndyrë, pasi Lirak Bejko ka vdekur.

Gazeta "Shqip"









comments powered by Disqus

VLERËSO KËTË LAJM

KRYESORET




LAJME TE NGJASHME

SONDAZH

A mendoni se do t`i vihet fre fenomenit të vjedhjes së energjisë pas ultimatumit të qeverisë se autorët do të arrestohen?


Duke llogaritur rezultatet. Ju lutem prisni...
në top channel »
MË TË LEXUARAT
KËMBIMI VALUTOR
  Blihet Shitet
EUR 139 139.5
USD 109 139.5
GBP 175.5 176
CHF 109 109.6
TREGJE DHE BURSA
0.00
0.00
0.00%
NASDAQ 4316.075
+57.637
+1.35%
S&P 500 1904.01
+17.25
+0.91%
FTSE 100 6322.53
+55.46
+0.88%
FTSE MIB 18966.939
+426.840
+2.30%
CAC 40 4050.69
+59.45
+1.49%
DAX 8807.70
+89.94
+1.03%
HANG SENG 23088.58
+18.32
+0.08%
Nikkei 225 14804.28
-306.95
-2.03%
S&P/ASX 100 4432.800
+4.900
+0.11%




Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.