Kosovë, Jahjaga: Tani drejt BE-së
11/09/2012
Kosovë, Jahjaga: Tani drejt BE-së
Në Prishtinë vazhdojnë të mbahen evenimente të ndryshme në kuadër të mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Në një konferencë paraditen e së martës, autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare kanë vlerësuar hyrjen e Kosovës në një fazë të re si shtet tërësisht i pavarur.

“Pavarësia e Kosovës është kthyer në faktor paqeje në rajon. Kosova është një dhe e vetme dhe rruga jonë është rruga e integrimit”, ka deklaruar presidentja Atifete Jahjaga. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se pavarësia e plotë do të thotë edhe rritje të përgjegjësisë së shtetit kosovar kundrejt qytetarëve dhe fqinjëve të tij. “Sot është dita e parë e një fillimi historik për ne. Para nesh janë sfidat e shoqërive të pavarura, të cilat janë sfida që mund të tejkalohen. Këtë e shoh si një moment maturie të shtetit tonë të ri. Jemi të barabartë me të gjithë. Fundi i mbikëqyrjes mundëson që të rritet përgjegjësia që kemi ndaj qytetarëve, fqinjësisë së mirë dhe botës”, ka thënë Thaçi.
Pavarësia e Kosovës është kthyer në faktor paqeje në rajon. Kosova është një dhe e vetme dhe rruga jonë është rruga e integrimit

Atifete Jahjaga
Presidente e Kosovës


Në të njëjtën linjë është shprehur edhe shefi i ICO-së, Piter Faith. “Jam i kënaqur për mbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe të shoh fazën e re të Kosovës. Plani i Ahtisarit është zbatuar. Ai ka qenë një projekt për një shtet demokratik dhe multietnik. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka më punë për të bërë”, ka thënë ai.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i përbërë nga shtetet të cilat e njohin Kosovën, i dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Diplomatë të huaj të mbledhur në ambientet e qeverisë së Kosovës konstatuan se pakoja e Ahtisarit nuk ekziston më si fuqia juridke e veçantë dhe më e lartë.

Këtë plan e zëvendëson Kushtetua e Republikës së Kosovës, e cila, siç thuhet në deklaratën zyrtare, tani përbën bazën e vetme të kornizës  juridike të vendit.

Obama-Kosovës: Tani më shumë përgjegjësi

Gjatë së hënës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama përshëndeti Kosovën me rastin e mbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Përmes një mesazhi, zoti Obama shprehu mbështetjen e tij për mbylljen e këtij proçesi, që sipas tij përbën një sukses të madh për popullin kosovar.

“Mirëpres dhe përkrah fuqishëm lajmërimin e sotëm nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës ka përfunduar. Pas gati katër viteve e gjysmë, përmbushja e dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është një arritje madhore për gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Obama.

“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë që është karakteristike për popullin e saj, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e arritjeve të pas pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, shumetnik, përfshirës, dhe demokratik”, u shpreh presidenti amerikan në mesazhin e tij.

Megjithatë, shefi i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi se, Kosova ka ende punë për të bërë, sidomos tani që udhëheqësit e saj marrin përgjegjësi të plotë për të siguruar se parimet e mishëruara në deklaratën e saj të pavarësisë dhe në Kushtetutë do të plotësohen për çdo qytetar.

“Kosova po ashtu duhet të vazhdojë të angazhohet konstruktivisht me fqinjët e saj dhe të punojë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, posaçërisht ato me Serbinë. Arritja e kësaj do të përforcojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe do të shërbejë për promovimin e stabilitetit nga i cili varen perspektivat Euroatlantike të rajonit”, tha Obama.

Më tej, në emër të popullit amerikan, presidenti uroi qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës në këtë moment historik, që sipas tij shënon një hap të rëndësishëm drejt vendit të Kosovës në një Evropë të lirë, të tërë dhe paqësore.

Nishani: Kosova la pas të kaluarën e hidhur

Urimeve që iu bën të hënën Prishtinës me rastin e mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur iu bashkua edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Në mesazhin e tij, Nishani vlerësoi se tashmë Kosova është ndarë përfundimisht nga e kaluara e hidhur dhe se po shkon drejt një të ardhmeje të begatë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurtë plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet. Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë. Përulemi me mirënjohje para veprës së tyre! Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë. Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar. Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe”, tha Nishani.

Reagimi i Serbisë: Për ne pavarësia s’ekziston

Serbia e konsideron fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës si shtim të mosbesimit nga ana e serbëve dhe të frikës.

Aleksandar Vulin, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha të hënën se atje ku institucionet e Kosovës e kanë pasur situatën nën kontroll, asnjëherë nuk ka pasur siguri dhe drejtësi.

“Nëse institucionet e Kosovës vendosin siç kanë vendosur deri më tani, atëherë ky do të ishte një gabim historik”, tha Vullin.

Ndërsa kryeministri Ivica Daçiç deklaroi se për Kosovën nuk ka asnjë lloj pavarësie. “Për ne çështja e Kosovës nuk është zgjidhur përderisa për këtë gjë nuk pajtohet Serbia”, deklaroi Daçiç.

Ai, në vend të pavarësisë, foli për tregtinë me organe dhe hetimet lidhur me këtë çështje. Ndërkohë që serbët e veriut deklaruan se për ta ky nuk përbën asnjë ndryshim.

“Serbia nuk prish festën e Kosovës, por vetë Kosova ka pranuar EULEX-in dhe shumë kushte të tjera që tregojnë se festa nuk ekziston”, shtoi Daçiç.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vuçiç takoi ambasadoren amerikane Mary Worlick, me të cilën bisedoi për vazhdimin e dialogut. Vuçiç tha se gjatë vizitë së tij të ardhshme në Gjermani do të bisedojë për Kosovën.


/ Top Channel







comments powered by Disqus

VLERËSO KËTË LAJM

KRYESORET




SONDAZH

A mendoni se do t`i vihet fre fenomenit të vjedhjes së energjisë pas ultimatumit të qeverisë se autorët do të arrestohen?


Duke llogaritur rezultatet. Ju lutem prisni...
në top channel »
MË TË LEXUARAT
KËMBIMI VALUTOR
  Blihet Shitet
EUR 139 139.3
USD 110.3 110.7
GBP 176 176.5
CHF 115 115.5
TREGJE DHE BURSA
0.00
0.00
0.00%
NASDAQ 4316.075
+57.637
+1.35%
S&P 500 1904.01
+17.25
+0.91%
FTSE 100 6322.53
+55.46
+0.88%
FTSE MIB 18966.939
+426.840
+2.30%
CAC 40 4050.69
+59.45
+1.49%
DAX 8807.70
+89.94
+1.03%
HANG SENG 23088.58
+18.32
+0.08%
Nikkei 225 14804.28
-306.95
-2.03%
S&P/ASX 100 4432.800
+4.900
+0.11%




Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.