Rruga e vështirë drejt Europës
12/02/2012
Rruga e vështirë drejt Europës
Aleksandër Meksi - Nuk besoj se ndonjë nga ata që në dhjetor të vitit ‘90 brohoritën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” do të mendonte në atë kohë, se edhe pas dy dhjetëvjeçarësh, sot, ende do të ishim shumë larg të qenit qytetarë të Europës së Bashkuar.

Gjatë gjithë viteve të diktaturës komuniste, shumica e shqiptarëve ëndërronte Europën, por shumë pak prej tyre arrinin të shkonin atje. Shumë nga ata që tentuan të kalojnë kufirin, mbetën në kufi, e të tjerë burgjeve dhe kur fliste ndonjë fjalë për Europën. Me rënien e komunizmit u hapën portat për në Europë por, deri para pak kohësh, shkuarja atje bëhej me viza dhe në mënyrë masive si klandestin. Sot Shqipëria ka nënshkruar asocimin dhe vizat janë liberalizuar, çka përbën një arritje mjaft të madhe të periudhës së pluralizmit. Nuk duhet harruar se Shqipëria ka marrë ndihma të vazhdueshme nga Europa dhe ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës për mbështetjen e madhe që na dhanë, në vitet e vështira 1991-1994, sidomos për plotësimin e nevojave ushqimore, kaq të domosdoshme për shqiptarët në atë kohë.

Gjatë këtyre viteve, herë i jemi afruar e herë i jemi larguar Europës dhe nënvizoj, nuk na është larguar ajo, i jemi larguar ne. Dhe kjo është e rëndësishme të kuptohet e të kihet parasysh, sepse jemi ne që duhet të shkojmë atje duke ndryshuar e përparuar. Pra gjithçka varet nga politika shqiptare, por dhe nga ne, për mbështetjen që i japim asaj, liderëve, që janë po ata - të përhershmit. Marrja e Statusit të vendit Kandidat, por dhe anëtarësimi më vonë, varet nga rezultatet që ne arrijmë, d.m.th nga shkalla e demokratizimit të vendit, nga shkalla e respektimit të të drejtave të njeriut, nga zhvillimi real i ekonomisë, nga liria e medias, nga përafrimi i legjislacionit tonë me atë të Europës së Bashkuar, e sidomos nga zbatimi real i tyre d.m.th. të jepet drejtësi dhe të kemi një shtet ligjor të vërtetë. Të gjithë këto parakushte janë mjaft të qarta dhe përmbushja e tyre përbën një detyrë shtëpie sa të vështirë, aq dhe të nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Secili prej qytetarëve ka të drejtë të shtrojë pyetjen përse politika aktuale nuk punon për të vënë në jetë këto detyrime? Por po kështu cilido ka të drejtë të na pyesë neve qytetarëve çfarë bëni ju, që të realizohen sa më parë këto detyra? Pyetjet janë më se të drejta dhe kërkojnë përgjigje e zgjidhje.

Jashtë çdo dyshimi, përmbushja e kërkesave të shtruara përpara qeverisë shqiptare dhe klasës politike i ngarkon ato me përgjegjësi, pra dhe me detyrimin për shpjegime, jo sempliste përpara opinionit publik, për shkaqet e mosrealizimit të kërkesave. Edhe opozita ka detyrimet e saj, sepse deri më sot as ajo nuk i ka bërë të qartë shqiptarëve se cilat ishin pyetjet e Bashkimit Europian për Qeverinë e çfarë kontributi jep ajo për plotësimin korrekt të tyre, d.m.th. sipas normave europiane. Roli i opozitës është qenësor; nga njëra anë për të bashkëpunuar aktivisht dhe me amendamente e jo pseudokonsensuse në realizimin e kërkesave, kur është fjalë për legjislacionin, dhe, nga ana tjetër, të kritikojë kur nuk përmbushen apo janë fiktive e formale veprimet e qeverisë për këto probleme. Por, jo më pak e rëndësishme është përgjegjësia e opozitës për faktin që asnjë herë nuk ka ndërmarrë hapa për të sqaruar publikun në detaje për kërkesat europiane, që edhe këto ditë flitet por askush nuk di të na i numërojë. Për të gjitha këto, duhet të jetë transparente në veprimet e qëndrimet e saj, duke dhënë dhe shpjegimet përkatëse.

Pra, si qeveria ashtu dhe opozita, për të mos thënë gjithë klasa politike shqiptare, nuk kanë realizuar një proces transparent, shpjegues dhe llogaridhënës përpara shqiptarëve, duke e mbështetur në një skenar me temën: na votoni ligjet me 3/5 të votave, sikur kaq të thjeshta janë problemet tona, e se po u bë kjo, ligjet do zbatohen, kur fjala është për reforma të thella demokratike, çka na bind, se ajo që po ndodh, me sa duket, varet nga kuptimi që ata kanë për demokracinë. Prandaj çdo ditë e më tepër, po japin shfaqje të autoritarizmit me parullën jo demokratike që ligji dhe shteti jam unë (në njëjës).

Një ndihmesë me vlerë mund të jepte edhe shoqëria civile, sidomos ato OJQ (OJF) që kanë si veprimtari të tyre integrimin në BE ose dhe aspekte të ndryshme të kësaj problematike. Pak kanë bërë për të shpjeguar hapat që duhet të ndërmerren nga shteti për marrjen e Statusit të vendit kandidat, detyrimet që duhen përmbushur, përfitimet që do të kemi, madje edhe të mos mjaftohen vetëm me kaq, por dhe të na sqarojnë rrugën që do të shkelim nga marrja e Statusit të vendit kandidat deri në anëtarësimin e plotë në BE, si dhe kohën që do të duhet për këtë, për të mos pasur iluzione të kota që mpijnë veprimin.

Shoqëria civile dhe mediat, është fjala për ato OJQ e media që nuk mbështeten dhe veprojnë me fonde të palëve të politikës shqiptare, të dhëna qoftë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, mund të luajnë rol mjaft të madh dhe pozitiv duke sqaruar publikun me imtësi dhe me fushata informuese, por edhe duke sonduar perceptimet e publikut (të shtresave dhe bashkësive), për problemet e veçanta të kësaj rruge dhe për sjelljen e politikës. Një punë e tillë, krahas asaj që duhej të zhvillonte qeveria dhe opozita, do të na bënte të vetëdijshëm e kërkues, do të mundësonte të kishim një gjykim real për punën e deritanishme dhe çfarë mbetet për të bërë dhe si. Kështu, do të mund të gjykonim më mirë si për përgjegjësitë e klasës politike, ashtu dhe tonat si qytetarë. Edhe kjo është një fushë ku për stadin dhe problematikën e sotme, Bashkimi Europian mund të ndihmonte me mbështetje kërkimeve, të cilat lidhen me ngecjet dhe diskutimet që lindin gjatë rrugës sonë drejt Europës.

Të lodhur nga kjo pritje e stërzgjatur, shqiptarët kërkojnë të dinë më shumë për rrugën dhe për Europën. Ky ndërgjegjësim do të luante rol pozitiv në plotësimin e detyrave dhe në kërkimin e llogarisë, por dhe vetë qytetarët në këtë proces vetëdijesimi, si ta themi, do të “europianizohen” në mendësinë dhe sjelljen e tyre politike e shoqërore.

Europa e Bashkuar mbetet destinacioni i dëshirave i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por edhe po aq i pashmangshëm. Kjo duhet të shtyjë dhe nxisë forcat politike të cilitdo orientim, të punojnë për këtë qëllim, realisht e konkretisht, me plane e afate të përcaktuara qartë dhe, mbi të gjitha, transparente për publikun. Këto të fundit kanë munguar dhe janë deri-diku arsyet e mosplotësimit të 12 kushteve dhe detyrave bazë (këto ditë na thanë se kemi plotësuar vetëm një), duke u fshehur, e përsërisim, mbas disa ligjeve me 3/5-at, ndërkohë që problem është mungesa e theksuar në dhënien e drejtësisë, pavarësia e sistemit nga politika dhe jo aq mangësitë në ligje dhe gjykata. Mendoj se problemet e drejtësisë shqiptare kërkojnë nga e para një qasje tërësore e më të plotë dhe shqyrtime të strukturave dhe ligjeve deri dhe te vetë Kushtetuta.

Për marrjen e Statusit të vendit kandidat politika shqiptare duhet të gjejë gjuhën e përbashkët dhe për këtë, mendoj se një tryezë e mirë pune duhet të jetë Komisioni Parlamentar për Integrimin, pranë të cilit duhet të ketë (apo thërriten) ekspertë, përfaqësues të forcave politike jashtëparlamentare dhe njerëz të mediave që njohin problematikën. Ajo tryezë mendoj se është dhe vendi ku duhet të hartohet plani i punës me afatet për secilën fushë. Ndërkohë opinioni publik duhet të informohet për çdo mbledhje, e periodikisht dhe me hollësi, për situatën në të cilën ndodhen realizimet e detyrave dhe bisedimet me përfaqësuesit e Bashkimit Europian, e sidomos vërejtjet e tyre.

Jashtë çdo dyshimi për mua një rol themeltar e pozitiv, do të duhej të luante Presidenti i Republikës, por, për fatin tonë të keq një pjesë e politikës e injoron dhe refuzon atë, duke i hequr shqiptarëve një institucion garant shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e Kushtetutës dhe rendit demokratik, ashtu dhe rolin që mund të luante si ndërmjetësues e gjykues mes palëve.

Njëherazi me ta, mendoj se i takon dhe prezencës së Bashkimit Europian në Tiranë të informohet nga politika dhe të ndihmojë tryezën, me ekspertizë e këshilla e pse jo, dhe vërejtje por, dhe të informojë publikun për mangësitë, dështimet, realizimet dhe detyrat imediate. Kjo do të ishte mjaft e dobishme meqenëse nga dy forcat politike (pozita dhe opozita) dëgjojmë opinione diametralisht të kundërta dhe vetëm akuza të ndërsjella, ndërsa tryezat janë kthyer në duel këndesash. Nuk duhet lënë pa përmendur ndihmesa e dhënë nga ambasadori i prezencës së BE-së dhe disa ambasadorë të tjerë të vendeve europiane, të cilët herë pas here mjaft qartë, kanë folur për sjelljen aspak europiane të politikës shqiptare dhe përgjegjësitë e saj për bllokimin e procesit të integrimit.

Shqipërinë dhe shqiptarët do t’i ndihmonte së tepërmi në këtë rrugëtim për në Europë një qëndrim më konstruktiv i strukturave të larta dhe i përfaqësuesve të politikës europiane duke përcaktuar më mirë problemet negative tonat, d.m.th. më me hollësi diagnozën, por dhe duke dhënë, që për ne është shumë të rëndësishme, zgjidhjet dhe modelin. Pra duke na i përcaktuar qartë gabimet dhe mënyrën se si duhet bërë riparimi dhe sipas cilit model. I kemi thënë këto se kemi shikuar, që vërejtjet e përgjithshme nuk bëjnë shumë efekt këndej anëve tona, pasi dhe harrohen shpejt.

Po kështu, shohim të përmenden shpesh akuza për sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin, të cilat janë të vërteta por, pak ndihmë konkrete jepet në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit fiskal. Në këto fusha, mundet dhe për shkak të krizës së fundit ekonomike, Perëndimi po zhvillon një luftë intensive për të zbuluar keqbërësit. Përvoja e tyre si dhe ndihma konkrete me investigimin e të dhënave në këtë luftë që lidhen me ne, do të ishin mjaft më të dobishme se sa vërejtjet.

Qëndrimi kritik i Europës ndaj veprimeve jo të rregullta të politikës dhe politikanëve shqiptarë, të cilët pengojnë rrugëtimin tonë, është i nevojshëm për të evidentuar ata që veprojnë kundër integrimit, sepse nuk dëshirojnë shtetin ligjor, demokracinë dhe ekonominë e tregut të lirë, por autoritarizmin, monopolet dhe interesat e një rrethi të ngushtë në dëm të shoqërisë shqiptare. Kjo ndihmë do të ishte e nevojshme dhe në fushën e ekonomisë duke i përcaktuar qeverisë shqiptare disa kufij që nuk duhen kapërcyer. Për më tepër, me ngjarjet e fundit post-krizë, rregulla të detyrueshme i janë vënë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian, në drejtim të kufijve për deficitin buxhetor, sistemin dhe normat fiskale dhe përqindjen e borxhit ndaj GDP, ashtu dhe marrëveshje për luftën kundër evazionit. Njëherazi do të mënjanohen dhe mburrjet e kritikat e ndërsjella për këto probleme. Me këtë “ndihmë” ne do ta kemi dhe më afër jo vetëm Statusin, por edhe anëtarësimin në Europë, ëndrrën tonë të kahershme.

Shqipërinë mund ta ndihmojë dhe mbështetja financiare në fushën e ekonomisë, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, d.m.th. rrugët që e lidhin me vendet fqinjë dhe rrjetin europian të rrugëve, në arsim dhe shëndetësi për të përmirësuar strukturat dhe pajisjet që të ngrihet niveli dhe cilësia e shërbimeve. Pra, një përpjesëtim më të mirë, apo më dobiprurës, ndërmjet programeve përmirësuese të strukturave qeverisëse dhe atyre me impakt direkt në ekonomi, që janë të ndërvarura me njëra-tjetrën. Është një ndihmë e dhënë paraprakisht dhe që do të na shtohet kur të jemi pjesë integrale e Europës së Bashkuar. Por, sidoqoftë, do të jemi ne shqiptarët ata që do ta ndërtojmë e do ta shkelim rrugën për në Europë.

Gazeta 'Shqip'




Login per te komentuar

TE REKOMANDUARA PER JU

SHBA, pezullohen xhirimet e filmave për të rritur SHBA, pezullohen xhirimet e filmave për të rritur
Organizata që përfaqëson industrinë e kinemasë pornografike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Free Speech Coalition (FSC), ka lajmëruar ditën e premte se xhirimet e filmave për të rritur janë pezulluar pa afat pas konstatimit të virusit HIV tek një aktor.

Ultimatumi i BE-së për Rusinë
Ultimatumi i BE-së për Rusinë
Rusia ka një javë kohë që të ndryshojë kursin e saj karshi Ukrainës ose të përballet me sanksione të reja të Bashkimit Europian.

Kurdët në luftë për ëndrrën e tyre Kurdët në luftë për ëndrrën e tyre
Me luftën e tyre kundër organizatës terroriste "Shteti islamik" kurdët irakianë po çojnë përpara edhe projektin e tyre për një shtet të vetin, një dëshirë e hershme që nuk u bë kurrë realitet.

Gruaja identike me Chavezin Gruaja identike me Chavezin (FOTO)
Fotografia e një gruaje që ngjan shumë me liderin e ndjerë venezuelian Hugo Chavez po bën xhiron e botës nëpërmjet rrjeteve sociale, sipas gazetës ‘El Nuevo Herald’.

Si do te jete iPhone 6-ta? Si do te jete iPhone 6-ta?
Në ftesat e shpërndara nga Apple, thuhej vetëm “do të donim t’ju jepnim më tepër informacion...”,  kaq mjaftoi për të ngacmuar imagjinatën e publikut: si do të jetë produkti më i ri i firmës së njohur që prezantohet për herë të parë në Cupertino të Kalifornisë në 9 shtator.

Nëna kineze lind djalin me peshë rekord
Nëna kineze lind djalin me peshë rekord
Një nënë në Kinë ka lindur djalin me një pesha gati dyfishin e një fëmije normal, plotë 6 kilogramë e 300 gramë.


VLERËSO KËTË LAJM
LAJME TE NGJASHME




SONDAZH

A duhet te vazhdoje bojkoti i opozites ne Parlament?


Duke llogaritur rezultatet. Ju lutem prisni...
në top channel »
MË TË LEXUARAT
KËMBIMI VALUTOR
  Blihet Shitet
EUR 139.1 139.6
USD 105.8 106.4
GBP 175 175.5
CHF 115 115.5
TREGJE DHE BURSA
17067.561
-30.889
-0.18%
NASDAQ 4598.188
+17.917
+0.39%
S&P 500 2002.28
-1.09
-0.05%
FTSE 100 6829.17
+3.86
+0.06%
FTSE MIB 20446.279
+100.430
+0.49%
CAC 40 4378.33
-1.40
-0.03%
DAX 9507.02
+27.989
+0.30%
HANG SENG 24749.02
-3.07
-0.01%
Nikkei 225 15668.6
+192
+1.24%
S&P/ASX 100 4699.700
+24.500
+0.52%




Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.