Ambasadori amerikan kritikoi Vulin, Daçiç: SHBA të mos ndërhyjnë

12/10/2017

Ambasadori amerikan, e gjithashtu ambasadorët e tjerë nuk duhet të përzihen në punët e brendshme të Serbisë. Ky ka qenë reagimi i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, pas deklaratave të përfaqësuesit të lartë amerikan në vend, Kyle Scott, ndaj ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

Ky i fundi lavdëroi ditë më parë një ish-gjeneral serb, për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbi në vitin 1999, duke theksuar se Serbia nuk ka nevojë të turpërohet më për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë në atë kohë.

Kjo shtyu ambasadorin amerikan të shkruante në rrjetin social “Twitter” se, puna e muajve të tërë për përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara mund të dëmtohej nga një deklaratë.

Vulin tha se, Serbia “nuk ka shkaktuar luftëra” dhe se ish-gjenerali Vladimir Lazareviç është njeri i lirë. Ish-gjenerali serb dhe politikani Nikola Shainoviç ishin dënuar për rolin e tyre në fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës, gjatë së cilës u vranë mbi 10 mijë vetë, u zhdukën mijëra të tjerë dhe u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë.

Të enjten, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç tha se ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, ndërsa theksoi se deklaratat rreth të dënuarit të Hagës, Vladimir Lazareviç, nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Duke theksuar se ai “e ka vuajtur dënimin me burg”, ministri shtoi se “kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do ta vuajë atë”, ndërsa siç tha, Ante Gotovina është liruar nga aktakuza për krime dhe po bëhet gati të zgjidhet president i Kroacisë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.