Asambleja e KiE, Bushati takon Kyriakides dhe Sawickin
12/10/2017
Asambleja e KiE, Bushati takon Kyriakides dhe Sawickin
Në sesionin e vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po zhvillon punimet në Strasburg, mori pjese për herë te parë delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga z. Ervin Bushati.

Ky i fundit zhvilloi takime me presidenten e sapozgjedhur të Asamblesë Parlamentare,Stella Kyriakides dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë, Wojciech Sawicki.

Bushati përgëzoi Kyriakides për zgjedhjen si Presidente e Asamblesë, në një kohë sfidash të jashtëzakonshme për Organizatën në tërësi. Në vijim, z.Bushati informoi shkurtimisht mbi rezultatet dhe ecurinë e procesit zgjedhor, sfidat me të cilat përballet Qeveria shqiptare si dhe reformat që janë ndërmarrë për adresimin e këtyre sfidave. Nga ana e saj, Presidentja Kyriakides përgëzoi për progresin e bërë nga Shqipëria në përmirësimin e standarteve të respektimit të vlerave që qëndrojnë në themel të Organizatës.

Gjatë takimit me Sawicki, Bushati e informoi mbi ecurinë e procesit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, duke nënvizuar faktin se ky proces ishte më pak i politizuar në të gjithë historinë e zgjedhjeve demokratike në Shqipëri.

Duke u ndalur në prioritetet e Qeverisë Shqiptare, Bushati bëri një pasqyrë të shkurtër të reformave kryesore në vend, veçanërisht të reformës në fushën e drejtësisë, të procesit të vettingut, që pritet të nisë së shpejti, duke shprehur vullnetin politik për zbatimin e plotë të këtyre reformave. Proceset reformuese, nënvizoi ai, do të kontribuojnë në plotësimin e angazhimeve të ndërmarra nga Shqipëria  si vend anëtar i KiE.

Sawicki ka nënvizuar dosmosdoshmërinë e zbatimit të plotë të reformave. Duke u ndalur në procesin zgjedhor, ai vlerësoi progresin e shënuar nga Shqipëria, ashtu sikurse pasqyrohet edhe në Raportin e Asamblesë.

Gjatë takimit të dy bashkëfolësit diskutuan edhe mbi cështjen e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës në Asamble, duke ndarë të njëjtin mendim për rëndësinë e rritjes së angazhimit të delegacionit të Kosovës në Asamble, në funksion të përpjekjeve për forcimin e standarteve demokratike në Kosovë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.