Ndërtimi në Butrint, Bojaxhi: Ta menaxhojë vetë parku

12/10/2017

Ndërsa debati në Tiranë vazhdon, ndërtimi në parkun e Butrinit ka marrë formën e plotë. Kamera e Top Channel hyri në parkun ku po zbatohet një projekt me leje nga ministria e Kulturës, por që ka trazuar fort edhe politikën. Qendra e cila ka një investitor privat.

Ndërtimi thuhet se do jetë një kompleks shërbimi për turistët e shumtë dhe të ardhurat e mëdha që ata gjenerojnë.

Një pjesë e ndërtimit është vendosur në një ndërtesë ekzistuese para së cilës është krijuar një platformë me beton e shtruar me dru dhe që do ketë edhe një mbulesë.

Anëtarët e forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore mbështesin përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të Parkut Kombëtar të Butrintit, por këto shërbime sipas tij nuk duhet të bëhen si një marrëveshje mes politikës dhe grupeve të biznesit.

“Në qoftë se ka kaq shumë rëndësi, kaq shumë kërkesë dhe interes për të pasur shërbime të tilla, pra për të pasur turistët ujë etj, kjo do të thotë që duhet të jetë një shërbim fitimprurës atëherë fare mirë edhe vetë institucioni shtetëror me të gjitha ato fonde që arrin të gjenerojë Parku i Butrinit mund ta kishte menaxhuar një gjë të tillë vetë. Fakti që e bën këtë gjë, që nuk çon një plan zhvillimi final në UNESCO për t’u miratuar, tregon që kjo është thjesht një ngutje e momentit për të kënaqur disa interesa private dhe jo për të pasur një zhvillim më të mirë të Butrintit”, shprehet Gjergj Bojaxhi.

Sipas tij kjo çështje duhet të depolitizohet. “Është e turpshme që partitë politike përpiqen ta politizojnë këtë çështje, sepse janë të dyja partitë kryesore që kanë administruar këtë sektor në 10-12 vitet e fundit”, deklaron Gjergj Bojaxhi.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.