Tensionet në Spanjë, qeveria u kërkon ndjesë të plagosurve
06/10/2017
Tensionet në Spanjë, qeveria u kërkon ndjesë të plagosurve
Përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Katalunja u kërkoi falje personave të plagosur gjatë përpjekjeve të policisë për të penguar referendumin e së dielës.

Megjithatë, ai fajësoi qeverinë katalanase për organizimin e votimit të paligjshëm.

“Kur shoh imazhet e përleshjeve nuk mund të mos kërkoj falje në emër të efektivëve që ndërhynë”, tha ai në një intervistë, duke u bërë kështu i pari zyrtar i qeverisë “Rajoy” që kërkon ndjesë pas përleshjeve që shkaktuan gati 900 të plagosur, mes të cilëve 33 policë.

Ndërkohë, qeveria e Madridit lëshoi një dekret për ta bërë më të lehtë zhvendosjen e zyrave të kompanive jashtë Katalunjës. Pavarësisht paralajmërimeve të Mbretit Felipe VI, e gjithashtu ndërkombëtarëve, Katalunja duket e vendosur për ta çuar deri në fund projektin e saj të pavarësisë.

Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi seancën paralamentare të së hënës në Katalunjë, gjatë së cilës pritej të shpallej pavarësia e njëanshme, ministri rajonal për Punët e Jashtme, Raul Romeva  tha se Parlamenti do të mblidhej dhe debati për pavarësinë do të zhvillohej.

“Çdo përpjekje e qeverisë spanjolle për të penguar rrjedhën e gjërave ka rezultuar jo vetëm e padobishme, por edhe antiproduktive”, tha Raul Romeva, ministër i Jashtëm katalanas.

Presidenti katalanas, Carles Puigdemont thuhet se ka vendosur ta shpallë pavarësinë të martën, një ditë më vonë nga ç’pritej. Ndërkohë, shefi i policisë katalanase, Josep Lluis Trapero u shfaq para një gjykate në Madrid, nën akuzën se nuk e ndihmoi policinë kombëtare të shpërndante mijëra protestues në prag të referendumit të 1 tetorit.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.