“Shpëtimi” nga Tatimet, biznesi kursen mbi 11 mijë ditë pune
06/10/2017
Në listën e dokumentave që institucionet publike nuk do t’u kërkojnë më biznesit janë dhe 9 vërtetime që lëshohen nga administrata tatimore.

Sipas drejtorit të Shërbimit për Tatimpaguesit, Artur Papajani kjo masë lehtëson bizneset nga qindra-mijë vizita fizike në sportelet e tatimeve.

“Janë rreth 270 mijë të tilla, që jep administrata. Të paktën për 2016 janë dhënë 270 mijë vertetime. Pra, mbi 270 mijë vizita do të eliminohen në sportelet tona duke u bërë gjithçka virtuale”, thotë Papajani.

Me urdhër të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, nga java e ardhshme këto dokumenta do të gjenerohen nga vetë institucionet publike përmes portalit “E-Albania”. Tatimet kanë llogaritur dhe kohën që i kursehet biznesit në një vit.

“Bëhet fjalë për 5 milionë minuta, ose mbi 11 mijë e 500 ditë pune, që kursehet tërësisht nga tatimpaguesit dhe gjithçka do të gjenerohet në mënyrë elektronike”, deklaron drejtori i Shërbimit të Tatimpaguesve.

Bizneset nuk do të paraqiten më tek tatimet edhe kur këto dokumenta i kërkohen nga institucionet joqeveritare, si ambasadat apo organizatat e ndryshme ndërkombëtare, por mund t’i printojnë ato nga kompjuteri i tyre.

“Hyrja është mjaft e thjeshtë. Mjafton që tatimpaguesi të logohet me ID-në e vetë në listën e dokumentave që do i paraqiten mund të zgjedhë atë që kërkon dhe ta printojë”, shprehet Papajani.

Ata individë që nuk kanë mundësitë apo kapacitetet logjistike t’i printojnë vetë dokumentat, mund të paraqiten pranë sporteleve të tatimeve dhe do t’u printohen nga punonjësit e administratës.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.